US Open sjell këtë vit një rekord të ri në shpërblimet për tenistët, por në të njëjtën kohë edhe çmime shumë të larta për tifozët që duan ta ndjekin turneun nga afër. Grand Slam-i amerikan ka vendosur një fond prej 108 milionë dollarësh, 20% më shumë se në edicionin e kaluar, ndërsa kampionët e turneve individualë do të marrin nga 5.5 milionë dollarë.
Rritja e shpërblimeve vjen pas kërkesave të vazhdueshme të tenistëve për një pjesë më të madhe të të ardhurave që gjenerojnë turnetë Grand Slam. US Open është i pari që ka bërë një rritje të tillë, ndërsa në vitin 2025 Carlos Alcaraz fitoi 5 milionë dollarë, atëherë shifra më e lartë e dhënë ndonjëherë për një kampion në tenis.
Por ndërsa fondi për lojtarët rritet, ndjekja e turneut në Flushing Meadows kërkon një buxhet të konsiderueshëm. Turneu nis zyrtarisht këtë javë me garën e çifteve të përziera, ndërsa çmimet e biletave në stadiumin qendror Arthur Ashe nisin nga rreth 70 dollarë dhe arrijnë në afro 500 dollarë. Një tjetër vëmendje merr ndeshja ekzibicionuese ku protagonist do të jetë Roger Federer.
Për sfidën në stadiumin Arthur Ashe, me kapacitet mbi 23 mijë spektatorë, çmimet nisin nga 84 dollarë dhe shkojnë deri në afro 900 dollarë. Por diferenca më e madhe mes çmimeve shfaqet në ditët e para të turneut individual. Për të dielën, 30 gusht, dita e parë e fazës individuale, një biletë që jep akses vetëm në fushat e jashtme mund të kushtojë deri në 323 dollarë.
Çdo ditë e turneut ndahet në seancë ditore dhe mbrëmjeje, me çmime të ndryshme sipas orarit dhe zonës së stadiumit. Diferenca bëhet më e dukshme kur krahasohen çmimet me tre Grand Slam-et e tjera. Për të njëjtën ditë dhe të njëjtin lloj bilete, Australian Open ka pasur një çmim prej vetëm 35 dollarësh. Në Roland Garros, bileta ka kushtuar 45 dollarë, ndërsa në Wimbledon 44 dollarë.
Në Nju Jork, çmimet rriten ndjeshëm kur bëhet fjalë për finalet. Për finalen e femrave, bileta më e shtrenjtë arrin në 1,696 dollarë, ndërsa për finalen e meshkujve çmimi maksimal shkon deri në 2,938 dollarë. Kështu, US Open këtë vit kombinon dy shifra rekord: 108 milionë dollarë për lojtarët dhe afro 3 mijë dollarë për një biletë të finales së meshkujve.
