Një mosmarrëveshje për një vendparking në Prishtinë dyshohet se ka eskaluar në të shtëna me armë dhe sulm fizik, ndërsa personi që dyshohet se përdori armën është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet në arrati, raporton Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 25 gusht, rreth orës , në rrugën “Zahide Jashari” në Prishtinë.
Viktima është A.D. 38 vjeçar, ndërsa si të dyshuar në rast figurojnë A.M. rreth 27 vjeçar dhe A.M. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjithçka dyshohet se nisi pas një mosmarrëveshjeje rreth parkingut, e cila më pas eskaloi në përleshje.
A.D. ka deklaruar në Polici se është sulmuar nga dy personat e dyshuar, ndërsa situata është përshkallëzuar kur njëri prej tyre dyshohet se ka marrë një armë zjarri nga vetura. Sipas deklarimit të viktimës, A.M. dyshohet se ka shtënë një herë në drejtim të tij, por plumbi nuk e ka goditur. Përplasja, megjithatë, nuk ka përfunduar aty.
I dyshuari më pas dyshohet se është afruar dhe e ka goditur A.D. me pjesën e pasme të armës, duke i shkaktuar lëndime trupore, për të cilat viktima ka marrë trajtim mjekësor. Në vendngjarje ndodhej edhe një dëshmitar, i cili është intervistuar nga Policia lidhur me atë që kishte parë. Personi që dyshohet se përdori armën është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet në arrati.
Policia ka kryer kontrolle edhe në shtëpitë e personave të dyshuar, por sipas të dhënave të rastit nuk është gjetur arma apo ndonjë send tjetër i dyshimtë që lidhet me rastin. As në vendngjarje nuk janë gjetur gëzhoja.
Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar për armëmbajtje pa leje, përdorim të armës dhe lëndim të lehtë trupor, ndërsa personi tjetër i dyshuar, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt. Hetimet po vazhdojnë, ndërsa Policia është në kërkim të personit që dyshohet se ka përdorur armën. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
