Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës kallëzim penal ndaj Albin Kurtit dhe anëtarëve të Qeverisë në dorëheqje, lidhur me ushtrimin e njëkohshëm të funksioneve ekzekutive dhe mandateve të deputetëve.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda tha se duhet intervenimi i Prokurorisë për të mundësuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe legjislacionit në fuqi. “Siç dihet ne nuk e kemi të paraparë si vepër penale moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por të gjykatave të rregullta siç është Gjykata Supreme.
Po ashtu në kallëzim kemi përmendur edhe shpërdorimin e detyrës zyrtare, sepse duke mbajt funksione të paligjshme janë shpërndarë mijëra euro në disa vendime që janë marrë nga Qeveria e Kosovës dhe kjo situatë nuk mund të vazhdojë”, tha Gruda.
Sipas dokumentit të datës , PDK vlerëson se ekziston dyshimi për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe për “mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore”, sipas dispozitave të Kodit Penal të Kosovës.
“Në kallëzim, Albin Kurti cilësohet si i dyshuar së bashku me anëtarët e tjerë të Qeverisë në dorëheqje që janë certifikuar dhe betuar si deputetë të Legjislaturës XI. Nga 6 korriku 2026 e tutje, të kallëzuarit kanë vazhduar të ushtrojnë njëkohësisht funksionin e anëtarit të Qeverisë dhe mandatin e deputetit, ndonëse, sipas kallëzimit, këto funksione janë të papajtueshme”, thuhet tutje.
Në dokument thuhet se më , të dyshuarit, në cilësinë e personave zyrtarë, kanë mbajtur mbledhjen nr. 32 të Qeverisë dhe kanë nxjerrë 24 vendime.
“Në mesin e tyre ka pasur edhe vendime me pasoja të drejtpërdrejta financiare, përfshirë ndarjen e 100 mijë eurove, dhënien me qira të pronës publike me vlerë kontraktore prej 23 mijë e 205 eurosh, inicimin e dy shpronësimeve me kompensim nga buxheti, si dhe emërimin e komisioneve të pranimit për pozita të larta drejtuese.
Me këto veprime janë tejkaluar kompetencat e një Qeverie në dorëheqje dhe janë shkelur kufizimet kushtetuese dhe ligjore që lidhen me ushtrimin e mandatit të deputetit dhe funksioneve në ekzekutiv. Kallëzimi penal i është adresuar Prokurorisë Speciale, së cilës i kërkohet trajtimi dhe hetimi i pretendimeve të ngritura në dokument”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
