UEFA ka marrë një vendim të ashpër ndaj Crvena Zvezdës, duke e dënuar klubin serb me një gjobë totale prej 99,500 eurosh për incidentet e shkaktuara nga tifozët gjatë ndeshjes ndaj Viktoria Plzeň.
Sipas vendimit të Komisionit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s, një pjesë e konsiderueshme e dënimit lidhet me mesazhet e shfaqura nga tifozët e klubit, përfshirë parullën “Kosova është Serbi”, si dhe me sjelljen e tyre në stadium. Crvena Zvezda është gjobitur me 50,000 euro për transmetimin e një mesazhi që UEFA e ka cilësuar si të papërshtatshëm për një event sportiv.
Për më tepër, klubi është dënuar me 20,000 euro për sjellje raciste dhe/ose diskriminuese të tifozëve. Në vendimin disiplinor janë përfshirë edhe 20,000 euro gjobë për bllokimin e korridoreve dhe shkallëve, si dhe 9,500 euro për përdorimin e mjeteve piroteknike. UEFA ka vendosur gjithashtu mbyllje të pjesshme të tribunës veriore në ndeshjen e ardhshme evropiane si vendas.
Megjithatë, kjo masë është pezulluar për një periudhë prove prej dy vitesh, që do të thotë se ajo do të aktivizohet nëse klubi përsërit shkelje të ngjashme gjatë kësaj periudhe. Në vendimin zyrtar, UEFA nuk e përmend me emër parullën “Kosovo je Srbija”, por dënimi lidhet me mesazhet e shfaqura dhe sjelljen e tifozëve të Crvena Zvezdës.
UEFA në vendimin e saj përdor formulimet “mesazh i papërshtatshëm për një event sportiv” dhe “sjellje raciste dhe/ose diskriminuese”. Kjo nuk është hera e parë që Crvena Zvezda përballet me masa disiplinore nga UEFA për shkak të mesazheve dhe sjelljes së tifozëve të saj. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
