Nga “Leptiri” te “Kosova si Kandahar”: A ishte synimi diskreditimi i

0%

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe shantazh nuk hap vetëm një çështje penale ndaj një individi. Ajo ngre një pyetje shumë më të madhe: a kemi të bëjmë me një përpjekje të strukturuar për të diskredituar njëkohësisht Albin Kurtin dhe vetë Kosovën?

Kjo pyetje nuk lind nga spekulimet politike, por nga dy dokumente që, sipas aktakuzës, janë gjetur në telefonin e Shehollit. I pari lidhet drejtpërdrejt me Albin Kurtin. I dyti me imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Dokumenti i koduar “Leptiri” përmbante një plan të strukturave serbe për komprometimin dhe tentimin e rekrutimit të Kurtit gjatë kohës kur ai mbahej në burg në Serbi.

Dokumenti tjetër, i titulluar “Top Secret 2”, sipas analizës së Prokurorisë, përmbante ide për krijimin e perceptimit të Kosovës si vend i radikalizuar islamik, madje si një lloj “Kandahari” në sytë e Perëndimit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Të vendosura pranë njëra-tjetrës, këto dy materiale ngrenë një dyshim serioz politik dhe strategjik: njëri synonte goditjen e liderit politik të Kosovës, ndërsa tjetri goditjen e imazhit të vetë shtetit. “Leptiri” – dokumenti për komprometimin e Albin Kurtit Në telefonin e Fatmir Shehollit është gjetur një dokument i RDB-së serbe i vitit 2001, i koduar me emrin “Leptiri”.

Dokumenti përmbante një plan operativ për komprometimin dhe tentimin e rekrutimit të Albin Kurtit gjatë kohës kur ai mbahej në burg në Serbi. Por ajo që e bën këtë dokument shumë më interesant sot është burimi nga i cili Sheholli thotë se e kishte marrë.

I pyetur nga Prokuroria, Sheholli ka deklaruar se dokumentin ia kishte dërguar Bojan Dimiqi, të cilin Prokuroria e identifikon si zyrtar të lartë të BIA-s serbe. Pra, një dokument i vjetër i Sigurimit serb rishfaqet pas më shumë se dy dekadash dhe, sipas deklarimit të vetë Shehollit, i vjen nga një person që Prokuroria e lidh me shërbimin inteligjent serb.

Kjo e bën të pashmangshme pyetjen: Pse duhej të rikthehej pikërisht ky dokument në qarkullim në Kosovë? Nëse synimi i vjetër ishte komprometimi i Kurtit, atëherë rikthimi i këtij materiali në një kohë kur Kurti drejton shtetin nuk mund të trajtohet si një rastësi pa rëndësi.

Sheholli nuk e mbajti dokumentin vetëm për vete Dosja tregon se dokumenti “Leptiri” nuk mbeti vetëm në telefonin e Shehollit. Ai ua shpërndau personave të tjerë. Një prej tyre ishte ish-diplomati Blerim Canaj. Sipas dosjes, në mars të vitit 2024 Sheholli ia dërgoi Canajt përmes Facebook-ut fotografitë e dokumentit.

Canaj e konfirmoi publikisht marrjen e materialit më , pasi aktakuza ishte bërë publike dhe emri i tij kishte dalë në dosje. Ai deklaroi se dokumentin e kishte konsideruar të dyshimtë dhe të fabrikuar për nevojat e shërbimit serb, se nuk e kishte publikuar dhe se ua kishte përcjellë disa personave që merreshin me çështje të sigurisë. Këtu mbeten dy pyetje të rëndësishme.

A është raportuar zyrtarisht në institucionet e Kosovës fakti se Sheholli po shpërndante një dokument të tillë? Dhe: Pse Sheholli e zgjodhi pikërisht Canajn si një prej personave që duhej ta merrnin këtë material? Canaj kishte hyrë në Shërbimin e Jashtëm të Kosovës në vitin 2012, gjatë Qeverisë së Hashim Thaçit, kur Ministria e Jashtme drejtohej nga Enver Hoxhaj.

Ky fakt është pjesë e biografisë së tij dhe nuk përcakton vetvetiu orientimin e tij politik, por ndihmon në kuptimin e rrjetit të njerëzve tek të cilët Sheholli kishte qasje. Nga dokumenti te hapësira publike – rasti i Milaim Zekës Dosja tregon se materialet komprometuese nuk mbeteshin domosdoshmërisht në komunikime private.

Sipas Prokurorisë, më , Sheholli kishte marrë në Mitrovicën e Veriut materiale audio, transkripte dhe 5.000 euro. Materialet lidhen me zyrtarë serbë që bashkëpunonin me institucionet e Kosovës dhe, sipas aktakuzës, synonin komprometimin e tyre para zgjedhjeve lokale. Katër ditë më vonë, një pjesë e materialeve iu dorëzua Milaim Zekës.

Në dosje përmenden edhe 1.000 euro që Zeka i kishte marrë nga Sheholli. Zeka ka dhënë shpjegimin e tij për paratë, duke thënë se kishin të bënin me përkthime dhe se ia kishte kthyer Shehollit. Për analizën, megjithatë, elementi më i rëndësishëm është mekanizmi: materiali kalon nga një rrjet kontakti drejt hapësirës publike.

Në luftën hibride, një material nuk ka nevojë domosdoshmërisht të jetë i vërtetë për të shkaktuar dëm. Mjafton të publikohet, të krijojë dyshim, të përsëritet dhe të shndërrohet në temë debati. Pas një kohe, vetë dyshimi mund të fillojë të jetojë pavarësisht origjinës së dokumentit. Pikërisht për këtë arsye “Leptiri” ka rëndësi edhe sot.

Një dokument i vjetër mund të ringjallet në një moment politik të përshtatshëm dhe të përdoret për të krijuar perceptimin se Albin Kurti kishte pasur raporte komprometuese me shërbimet serbe. “Kosova si Kandahar” – objektivi nuk ishte vetëm Kurti Dokumenti tjetër i gjetur në telefonin e Shehollit, “Top Secret 2”, e zgjeron shumë më tepër këtë histori.

Sipas analizës së Prokurorisë, materiali përmbante ide për krijimin e perceptimit të Kosovës si vend i radikalizuar islamik dhe për paraqitjen e saj si një lloj “Kandahari” në sytë e Perëndimit. Në të përmenden ide që lidhen me dukshmërinë e xhamive, institucionet fetare dhe krijimin e një imazhi të Kosovës si shoqëri që po largohej nga orientimi euroatlantik.

Nëse gjatë procesit gjyqësor vërtetohet se ky dokument ishte material operativ i lidhur me strukturat serbe, atëherë nuk kemi të bëjmë thjesht me mbledhje informatash. Kemi të bëjmë me luftë për perceptimin e Kosovës.

Me atë se çfarë mendojnë qytetarët e saj, çfarë mendojnë aleatët perëndimorë, si e shohin Kosovën diplomacitë e huaja dhe cilat ndarje të brendshme mund të përdoren për ta paraqitur shtetin si të paqëndrueshëm, ekstremist apo problematik për Perëndimin. Në këtë lloj lufte nuk sulmohet territori. Sulmohet besueshmëria e shtetit.

Dy objektiva: Kurti dhe Kosova Kur “Leptiri” dhe “Top Secret 2” vendosen pranë njëri-tjetrit, del një logjikë që nuk mund të injorohet. Në njërën anë qëndron përpjekja për të krijuar dyshim rreth Albin Kurtit përmes një materiali komprometues.

Në anën tjetër qëndron përpjekja, sipas analizës së Prokurorisë, për ta paraqitur Kosovën para Perëndimit si vend të radikalizuar, të paqëndrueshëm dhe problematik. Këto dy objektiva nuk janë domosdoshmërisht të ndara. Një lider i diskredituar dobëson institucionin që drejton. Një shtet i paraqitur si ekstremist ose i paqëndrueshëm humb besueshmëri ndërkombëtare.

Ndërsa një shoqëri e polarizuar bëhet shumë më e lehtë për t’u manipuluar. Pikërisht këtu, sipas meje, qëndron thelbi politik i gjithë dosjes.

Kur narrativat e huaja gjejnë jehonë në Prishtinë Kjo dosje ngre edhe një pyetje tjetër, të ndjeshme, por të nevojshme: Sa nga narrativat që synojnë diskreditimin e Kurtit dhe dëmtimin e imazhit të Kosovës kanë gjetur ndër vite jehonë edhe në vetë debatin medial të Kosovës?

Kritika ndaj qeverisë është themel i demokracisë dhe askush nuk duhet të trajtohet si armik pse kritikon Albin Kurtin. Po ashtu, pretendimet se Kosova mund të ketë tensione me aleatët perëndimorë duhet të trajtohen si çështje politike normale sa herë që mbështeten në fakte. Por dokumenti “Top Secret 2” na detyron ta shohim edhe anën tjetër të problemit.

Një operacion ndikimi nuk ka nevojë që çdo hallkë e zinxhirit të marrë udhëzime nga burimi fillestar. Mjafton që një narrativë të futet në qarkullim. Më pas ajo mund të amplifikohet nga media, analistë, politikanë dhe rrjete sociale për motive krejtësisht të ndryshme: bindje politike, interesa editoriale, polarizim, konkurrencë apo audiencë.

Pas një kohe humbet origjina e saj dhe mesazhi fillon të duket sikur ka lindur vetvetiu brenda Kosovës. Prandaj pyetja serioze nuk është: “Cila media punon për Serbinë?” Pa prova konkrete, kjo do të ishte e papërgjegjshme.

Pyetja që duhet bërë është: Sa herë debati ynë i brendshëm ka amplifikuar, edhe pa vetëdije, narrativa që përputhen me interesin strategjik të Serbisë – diskreditimin e udhëheqjes së Kosovës dhe paraqitjen e Kosovës si problem për Perëndimin? Në luftën e informacionit, suksesi më i madh arrihet pikërisht kur mesazhi nuk duket sikur vjen nga Beogradi, por sikur ka lindur në Prishtinë.

Radoiçiqi dhe kontaktet me strukturat serbe Në materialet e sekuestruara është gjetur edhe transkripti i një bisede të Fatmir Shehollit me Milan Radoiçiqin. Në të përmendet edhe Ljubisa Bukvic, i njohur si “Ljuba”, person i lidhur me BIA-n. Sipas raportimeve mbi aktakuzën, përgjigjja e Shehollit sugjeron se ai kishte punuar për këtë zyrtar serb.

Në të njëjtën dosje shfaqen kështu emrat e Bojan Dimiqit, Ljubisha Bukvict dhe Milan Radoiçiqit. Kjo është e rëndësishme sepse dokumentet për Kurtin dhe Kosovën nuk gjenden në një vakuum. Ato gjenden brenda një dosjeje ku Prokuroria pretendon ekzistencën e kontakteve me njerëz të strukturave serbe.

Paradoksi: nga Sigurimi serb te “Haga frymon UÇK” Një nga pjesët më të pazakonta të gjithë kësaj historie është profili publik që Fatmir Sheholli kishte ndërtuar në Kosovë. Ai ka pranuar se nga viti 1990 deri më 1993 kishte punuar si analist në Sigurimin Shtetëror serb. Babai i tij, Maliq Sheholli, kishte qenë deputet i SPS-së së Sllobodan Millosheviqit.

Më Maliq Sheholli u vra, ndërsa UÇK-ja mori përgjegjësinë për vrasjen përmes Komunikatës nr. 28, duke e cilësuar si deputet të SPS-së dhe bashkëpunëtor të vjetër të UDB-së. Megjithatë, shumë vite më vonë, Fatmir Sheholli ndërtoi publikisht një profil të fortë pro-UÇK.

Më , vetëm pak javë para arrestimit, ai publikoi një fotografi me kapelë që mbante emblemën e UÇK-së dhe shkroi: “SOT HAGA FRYMON UÇK. Liri për çlirimtarët! Zoti e bekoftë UÇK-në!” Ai i uronte publikisht Ramush Haradinajn. Publikonte fotografi miqësore me Daut Haradinajn. Përdorte simbolikën “Liria ka emër”. Ekzistojnë edhe fotografi të tij me Hashim Thaçin.

Kjo ngre një pyetje që nuk mund të anashkalohet: A ishte ky profil vetëm bindje politike dhe personale, apo i ndihmoi Shehollit të krijonte besim dhe të hapte dyer që përndryshe do të kishin mbetur të mbyllura? Përgjigjen nuk mund ta japë një fotografi.

Por aktakuza e sotme e bën pyetjen të arsyeshme. 639 mijë euro nga AKI-ja – pyetja institucionale Nëse ka një pjesë ku shteti i Kosovës duhet të japë përgjigje të plota, ajo është raporti i Shehollit me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Sipas të dhënave të bëra publike nga raporti i Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së, gjatë viteve 2017–2020 Fatmir Sheholli kishte marrë gjithsej 639 mijë euro nga AKI-ja. Mbi 500 mijë euro lidhen me periudhën kur Agjencia drejtohej nga Driton Gashi, ndërsa 139 mijë euro të tjera me periudhën e Shpend Maxhunit. Sot Prokuroria pretendon se Sheholli më vonë kishte vepruar për BIA-n serbe.

Prandaj shteti duhet të tregojë: Për çfarë iu dhanë këto para? Çfarë informacioni siguronte Sheholli? Çfarë kontrolli sigurie ishte bërë ndaj tij? Çfarë dinte AKI-ja për të kaluarën e tij në Sigurimin serb? Ky nuk është më debat partiak. Është çështje e sigurisë kombëtare.

“E kanë ditur të gjithë” Pas publikimit të aktakuzës, Blerim Canaj bëri një deklaratë që është ndër më shqetësueset në gjithë këtë histori. Duke folur për Shehollin dhe veprimtarinë e tij, ai tha: “E kanë ditur të gjithë.” Nëse është kështu, atëherë kush janë “të gjithë”? A e dinin institucionet e sigurisë? A e dinin strukturat politike? A e dinin njerëzit e dalë nga UÇK-ja?

A e dinin mediat që e ftonin vazhdimisht? Dhe nëse e dinin të kaluarën e tij, pse Sheholli kishte një qasje kaq të madhe në politikë, media dhe institucione? Rasti Sheholli nuk është vetëm histori e një njeriu. Është edhe histori e dyerve që iu hapën atij. Pyetja që mbetet Përgjegjësinë penale të Fatmir Shehollit do ta përcaktojë gjykata.

Por përtej saj, dokumentet dhe komunikimet e bëra publike kanë ngritur një çështje që Kosova nuk duhet ta mbyllë me përfundimin e një procesi penal. Dokumenti “Leptiri” lidhet me komprometimin e Albin Kurtit. “Top Secret 2”, sipas analizës së Prokurorisë, me dëmtimin e imazhit të Kosovës para Perëndimit.

Nëse këto materiale kanë qenë pjesë e një strategjie operative të strukturave serbe, atëherë objektivi nuk ishte vetëm një politikan. Objektivi ishte edhe besueshmëria e Kosovës. Dhe lufta nuk zhvillohej vetëm në Beograd. Ajo synonte të hynte në Prishtinë përmes dokumenteve, kontakteve, mediave, narrativave dhe përçarjeve tona të brendshme.

Prandaj pyetja që mbetet nuk është vetëm: “Për kë punonte Fatmir Sheholli?” Por edhe: “Kush synohej të diskreditohej përmes tij – Albin Kurti, Kosova, apo të dyja bashkë?” Dhe, nëse deklarimi se për Shehollin “e kanë ditur të gjithë” qëndron, mbetet edhe një pyetje tjetër që institucionet dhe politika nuk mund ta shmangin: Nëse e dinin, pse nuk u veprua më herët?

Burimi: Bota Sot