Mbi 5 mijë euro mallra ushqimore të dyshuara si të kontrabanduara janë sekuestruar nga Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës në zonën kufitare me Maqedoninë e Veriut.
Rasti është zbuluar më 26 gusht, kur njësia e Task Forcës–Jugu ka vërejtur një furgon të bardhë me targa vendore duke hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës, nga drejtimi i fshatit Tanushë të Maqedonisë së Veriut, në drejtim të fshatit Mjak të Vitisë. Njësitet policore kanë reaguar menjëherë dhe kanë arritur ta ndalojnë automjetin në afërsi të brezit kufitar.
Gjatë kontrollit, në furgon janë gjetur sasi të konsiderueshme të produkteve ushqimore, përfshirë 9,525 copë çipsa, 700 copë pashteta nga 95 gramë dhe 750 copë gullash gjedhi nga 200 gramë. Sipas Policisë, drejtuesi i automjetit nuk posedonte dokumentacion për prejardhjen apo importimin e mallrave, ndërsa produktet kishin mbishkrime të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Vlera preliminare e mallrave të dyshuara si të kontrabanduara është mbi 5 mijë euro , pa përfshirë detyrimet dhe taksat doganore të shmangura. Mallrat dhe automjeti janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor. Rasti do të procedohet më tej nga njësitet kompetente të Doganës së Kosovës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
