Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, ka propozuar Faton Bislimin për President të Republikës së Kosovës. Walker u ka shkruar letra krerëve të partive politike, Albin Kurtit të Lëvizjes Vetëvendosje, Bedri Hamzës së Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ardian Gjinit të Aleancës në lidhje me propozimin e tij.
“Si mik i Kosovës, jam thellësisht i shqetësuar, siç jam i sigurt se jeni edhe ju dhe qytetarët e Kosovës, me bllokadën aktuale të pafundme të procesit kushtetues për të zgjedhur një President të ri. Zgjedhjet e reja nuk kanë gjasa ta sqarojnë ose zgjidhin çështjen, e aq më pak të kthejnë Kosovën në rrugën e qeverisjes efektive.”- ka shkruar ai në letrën e tij.
Walker ka shkruar se ka dëgjuar për disa kandidatë potencialë, që sipas tij, të gjithë janë të vlefshëm, por se, gjykimi i tij është se asnjëri nuk i ka shkathtësitë e nevojshme, të kaluarën dhe personalitetin që presidenca e kërkon. “Kam njohur Faton ‘Tony’ Bislimin për shumë vjet. Shpesh kemi diskutuar politikën e Kosovës, vendore si dhe vendin e shtetit të ri në Evropë dhe botë.
Nuk kam dyshim te mendimi i pavarur i Tony-t dhe aftësitë verbale për të përcjellë pozicionin e tij në çdo temë”- ka shkruar Walker. Sipas tij, Faton Bislimi posedon personalitetin dhe shkathtësitë për të qenë një president i suksesshëm. Për të qenë president i suksesshëm, sipas tij, duhen mes tjerash edhe njohuritë për botën jashtë Kosovës.
E Bislimi, siç shkruan ai, ka jetuar, udhëtuar dhe studiuar në vende evropiane dhe të Amerikës veriore. Po ashtu, Walker shkruan se kandidatit për president i duhet një kaluar e shkëlqyeshme akademike, duke kujtuar se Bislimi ka studiuar në Kosovë, SHBA e Kanada. “Një kuptim i thellë i lindjes së Kosovës – para, gjatë dhe pas luftës së vitit 1990.
Tony ka njohuri dhe kuptim të pakrahasueshëm të proceseve dhe personaliteteve të ndërlikuara të përfshira, si dhe kontakt personal me shumë nga aktorët.”- ka shkruar tutje Walker. Personaliteti i Faton Bislimit, po ashtu sipas Walkerit, çon peshë, pasi sipas tij, ai ‘është i këndshëm por serioz kur duhet, por edhe ka humor kur duhet’.
Sipas Walkerit pak persona mund të largohen nga biseda me Bislimin të zemëruar apo të nervozuar, pavarësisht debatit apo mospajtimeve. Walker ka shkruar se Bislimi do ishte edhe kandidat i konsensusit ashtu siç i duhet Kosovës, pasi ai përfaqëson vetëm veten e tij dhe përkushtimin për Kosovë më të mirë.
Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker në vitin 1999 kishte parë nga afër krimin e kryer mbi civilët shqiptarë dhe ka pasur rol kyç për dokumentimin e Masakrës së Reçakut e cila ishte kryer nga forcat serbe më . Bislimi nuk ka dhënë ndonjë koment gjatë ditës në lidhje me propozimin e Walkerit ndonëse është pyetur nga mediat.
Në zgjedhjet nacionale 2019, ai ishte kandidat i LDK-së për Kuvendin e Kosovës. Betimin si deputet e kishte dhënë me . Në biografinë e publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit shkruan ndër tjera se Bislimi është ekspert i zhvillimit ekonomik ndërkombëtar dhe punëve të jashtme.
“I shkolluar në Amerikë e Kanada, ai është autor i një sërë artikujsh dhe kapitujsh librash akademik kryesisht me tematikë të shtetndërtimit dhe intervenimit ndërkombëtar në Kosovë, marrëdhënjeve SHBA-BE dhe ndikimit të tyre në Ballkan, si dhe rolin e SHBA-ve dhe Kanadasë në këtë rajon”, thuhet në biografinë e tij.
