Bill Gates ka paralajmëruar për kërcënimin serioz që Inteligjenca Artificiale paraqet për vendet e punës, por edhe për vetë jetën njerëzore, duke thënë se adresimi i rreziqeve të saj duhet të jetë “prioriteti kryesor i botës”.
Në një intervistë për The New York Times , bashkëthemeluesi i Microsoft ka shprehur shqetësimin se zhvillimi i shpejtë i AI-së po shoqërohet me rreziqe që industria e teknologjisë nuk po i trajton me seriozitetin e duhur. Sipas Gates, interesat e mëdha financiare po bëjnë që disa prej drejtuesve të teknologjisë të minimizojnë publikisht rreziqet e Inteligjencës Artificiale.
“Privatisht, njerëzit që e kuptojnë se sa e mirë është kjo gjë dhe sa më e mirë mund të jetë janë shumë të shqetësuar”, tha ai, duke shtuar se pak drejtues në industrinë e teknologjisë janë të gatshëm ta pranojnë këtë publikisht. “Tani po i thonë njëri-tjetrit: ‘Hajde, njeri, mos e thuaj këtë.
Po na dëmton – po përpiqemi të mbledhim trilion dollarët e ardhshëm.’” Gates ka bërë thirrje për një qasje më të fortë ndaj rreziqeve që mund të sjellë zhvillimi i pakontrolluar i AI-së. Të mërkurën, ai publikoi një ese prej gati 6,000 fjalësh në faqen e tij personale, ku detajoi shqetësimet e tij dhe propozoi edhe masa konkrete, përfshirë taksa dhe ndalime të reja.
Ai tha se vendosi të flasë tani, pasi zhvillimet e fundit në Inteligjencën Artificiale kanë tejkaluar ndjeshëm pritshmëritë e tij. Një tjetër arsye, sipas tij, është fakti se industria ka anashkaluar disa prej skenarëve që ai më herët i konsideronte si rreziqe që kërkonin shumë më tepër vëmendje.
Mes tyre përmendi mundësinë që AI të dalë jashtë kontrollit apo të ofrojë “receta” për krijimin e armëve biologjike. “Ata thjesht po punojnë me gjithë fuqinë e tyre dhe shpresojnë që e mira të jetë më e madhe se e keqja”, tha Gates. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!