Zgjedhjet afatmesme: Nëse demokratët fitojnë, mund të hapin hetime të

0%

Demokratët në Kongresin amerikan thuhet se po intensifikojnë presionin ndaj Jared Kushner, dhëndrit të presidentit Donald Trump dhe të dërguarit special për paqen, duke synuar hetimin e plotë të investimeve të tij në Ballkan, veçanërisht projektit të resortit luksoz në Shqipëri, kështu të paktën shkruajnë Bloomberg, NPR dhe Reuters.

Në komentet e tyre, shtypi amerikan thotë se, nëse demokratët fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet afatmesme të 6 nëntorit, ata do të fitojnë fuqinë e “subpoenës” dhe mund të hapin hetime të forta.

Kongresisti Jamie Raskin, demokrati kryesor në Komitetin e Gjyqësorit të Dhomës, ka dërguar një letër të re Kushner-it, duke kërkuar dokumente mbi “miratimin ose shqyrtimin” e projekteve të tij në Shqipëri, përfshirë komunikimet me qeverinë amerikane dhe atë shqiptare.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Raskin, shkruan Bloomberg, kërkon të vlerësojë nëse sjellja e tij duhet hetuar sipas Aktit të Praktikave të Korrupsionit të Huaj (FCPA), ligjit federal që ndalon ryshfetet ndaj zyrtarëve të huaj për të siguruar biznes. Projekti në fjalë, resorti luksoz në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit, është shpallur që në vitin 2024 nga firma e investimeve Affinity Partners e Kushner-it.

Ai thuhet se ka shkaktuar muaj protestash në Tiranë dhe në jug të vendit, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”, për shkak të shqetësimeve mjedisore, aksesit të kufizuar në plazh dhe akuzave se toka është blerë me akte të falsifikuara. Sipas raporteve, biznesmeni që shiti parcelat është i kërkuar në Shqipëri për pastrim parash dhe lidhje me trafikun e drogës.

Prokuroria Speciale në Shqipëri thuhet se i ka ngrirë fondet dhe ka hapur hetime, ndërsa qeveria e kryeministrit Edi Rama e ka mbështetur projektin si investim strategjik. Në Serbi, Affinity Partners u tërhoq në dhjetor 2025 nga projekti i kompleksit luksoz në ish-selinë e Ushtrisë Jugosllave në Beograd, të bombarduar nga NATO në vitin 1999.

Tërheqja erdhi pas protestave të forta, opozitës nacionaliste që e sheh zonën si trashëgimi dhe pas akuzave të prokurorisë ndaj ministrit të Kulturës, Nikola Selakoviç, dhe zyrtarëve të tjerë për abuzim detyre dhe falsifikim dokumentesh për heqjen e statusit të mbrojtur kulturor. Firma deklaroi se projektet e mëdha duhet të bashkojnë e jo të ndajnë, duke treguar respekt për popullin serb.

Presidenti Aleksandar Vuçiç e mbështeti fuqishëm projektin si lidhje me administratën Trump, por e quajti tërheqjen “gjueti shtrigash”. Në Shqipëri, Edi Rama e ka parë investimin e Kushner-it si mundësi të dyfishtë: zhvillim ekonomik përmes turizmit luksoz dhe forcim të lidhjeve personale e politike me administratën e re amerikane.

Takimet e hershme me Kushner dhe Ivanka Trump, dhënia e statusit të investitorit strategjik dhe ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura tregojnë përpjekjen e Tiranës për të fituar akses dhe ndikim në Uashington përmes familjes Trump, në një kohë kur Rama po përballet me kritika të brendshme dhe presione për integrimin në BE.

Hetimi aktual në Kongres zgjeron atë të hapur në prill, ku demokratët akuzonin Kushner-in për “konflikt të pashmangshëm interesi”, në një kohë kur Kushner shërben si dërguar i paqes, ndërkohë që firmat e tij mbështeten nga fonde sovrane të Arabisë Saudite, Emirateve dhe Katarit. Sipas kongresistit Hakeem Jeffries, Affinity Partners ka tërhequr miliarda dollarë nga këto burime.

Komentet e shtypit amerikan thonë se, si minoritet, demokratët nuk kanë fuqi të “subpoenës” tani. Por, sipas tyre, nëse fitojnë shumicën më 6 nëntor (zgjedhjet afatmesme), lista e objektivave të tyre, ku Kushner është i përmendur qartë, do të aktivizohet.

Lideri demokrat Hakeem Jeffries, i cili u takua kohët e fundit me Kushner-in, ka deklaruar se “askush nga karteli Trump nuk do të shpëtojë”. Shtëpia e Bardhë e ka quajtur kërkesën e Raskin-it “narrativë të vjetër të përsëritur të demokratëve”, duke theksuar se aktivitetet e biznesit të Kushner-it janë të ndara nga roli i tij vullnetar diplomatik.

Investimet e Kushner-it në Ballkan, të prezantuara si mundësi zhvillimi, kanë hapur debate të thella mbi transparencën, sovranitetin dhe ndikimin e huaj. Pas nëntorit, këto pyetje në Washington mund të kalojnë nga protestat në rrugë në Ballkan, në hetime formale në Washington, shkruajnë Bloomberg, NPR dhe Reuters.

Burimi: Bota Sot