Një ngjarje tragjike ka ndodhur të hënën në një punishte në Prishtinë, ku një punëtor ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rënë nga lartësia derisa ishte duke punuar, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima është Florim Ramaj, rreth 49-vjeçar, ndërsa rasti ka ndodhur rreth orës në një objekt të kompleksit “Shala Group”, në rrugën “Syri i Kaltër”, në drejtim të Hajvalisë. Policia është njoftuar pak minuta më vonë se një person kishte rënë nga lartësia në objektin ku po punonte.
Në vendngjarje kanë mbërritur njësitë policore dhe ekipi i Emergjencës, por për Ramajn ishte tepër vonë – mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij në vend. Rasti ka aktivizuar një numër të madh institucionesh. Në punishte kanë dalë hetuesit policorë, Krimteknika, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Inspektorati i Punës dhe inspektorët komunalë.
Në vendngjarje ka dalë edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëhequr veprimet preliminare dhe ka angazhuar një ekspert për të shqyrtuar çështjet që lidhen me përgjegjësitë për sigurinë në punishte. Hetimi tashmë është fokusuar pikërisht në kushtet dhe masat e sigurisë në vendin ku ndodhi tragjedia.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, nga Inspektorati i Punës pritet raporti lidhur me gjendjen e sigurisë në punishte, ndërsa konstatimet priten edhe nga eksperti i angazhuar nga Prokurori. Në cilësinë e dëshmitarëve janë intervistuar inxhinieri i kompanisë dhe një punëtor. Por hetimet kanë sjellë edhe ndalimin e një personi. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Xh.
Sh., rreth 57-vjeçar, i cili është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në praninë e avokatit të tij mbrojtës. Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë. Rasti po trajtohet nën dyshimet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Hetimet dhe ekspertizat pritet të përcaktojnë nëse janë respektuar masat e detyrueshme të sigurisë në punishte dhe përgjegjësinë eventuale penale për vdekjen e punëtorit. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
