Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin Billings në Montana, ku disa persona, përfshirë edhe fëmijë, u vranë pasi një person i armatosur hapi zjarr në një banesë. Policia e cilësoi ngjarjen e së dielës mbrëma si një “konflikt familjar”. Pas të shtënave, autori dyshohet se i vuri zjarrin shtëpisë dhe më pas u vetëvra me armë zjarri, transmeton Telegrafi.
Sherifi i përkohshëm i Yellowstone County, Kent O’Donnell, konfirmoi se në banesë humbën jetën “disa të rritur dhe disa të mitur”, por autoritetet ende nuk kanë bërë publike numrin e saktë, emrat apo moshat e viktimave. Policia mbërriti në White Star Circle rreth 10 minuta pasi një telefonues në 911 raportoi se kishte dëgjuar të shtëna.
Oficerët dëgjuan të shtëna që vinin nga pjesa e pasme e banesës, ndërsa vetëm pak minuta më vonë ndërtesa u përfshi plotësisht nga flakët. Zjarrfikësit u përballën me vështirësi të mëdha për shkak të qasjes së kufizuar në ujë dhe numrit të pamjaftueshëm të hidrantëve në zonë.
Shefi i zjarrfikësve të Billings, Matt Hoppel, tha se për shkak të vonesës dhe kushteve të rënda, zjarri u përhap me shpejtësi dhe banorët e shtëpisë nuk mundën të shpëtonin. Hetimi vazhdon dhe autoritetet po përpiqen të përcaktojnë saktësisht rrethanat e tragjedisë. Disa detaje po mbahen ende konfidenciale për të mos dëmtuar hetimet.
Ndërkohë, një fushatë mbledhjeje fondesh në GoFundMe pretendon se të paktën tetë persona kanë humbur jetën, përfshirë dy fëmijë. Autoritetet, megjithatë, ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë shifër.
