Të shtëna me armë zjarri kanë trazuar një lagje në Prishtinë në orët e para të mëngjesit të së martës, ku një person ende i paidentifikuar dyshohet se ka shkrepur disa herë nga një veturë dhe më pas është larguar nga vendi, raporton Sinjali. Ngjarja ka ndodhur më 25 gusht, rreth orës , në rrugën “Laura Shmani” në Prishtinë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Policia është alarmuar nga një qytetar, i cili ka kërkuar të mbetet anonim dhe ka raportuar se një person kishte shtënë me armë zjarri nga një automjet. Sipas informatave fillestare, bëhet fjalë për rreth shtatë të shtëna, pas të cilave personi është larguar me veturë në drejtim të panjohur.
Njësitë policore janë nisur menjëherë drejt lokacionit dhe, gjatë kontrollit të zonës, kanë hasur në gëzhoja të armës së zjarrit. Në vendngjarje kanë dalë më pas edhe hetuesit dhe njësia e Forenzikës, të cilët kanë bërë ekzaminimin e lokacionit dhe sekuestrimin e gëzhojave. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gëzhojat e gjetura janë të kalibrit 7.62 mm.
Personi që dyshohet se ka shtënë ende nuk është identifikuar. Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar Policinë që në këtë fazë rasti të evidentohet si shënim zyrtar dhe të vazhdojnë veprimet për identifikimin e personit të dyshuar. Policia tashmë pritet të hetojë se kush ishte personi që qëlloi, automjetin me të cilin u largua dhe motivin e të shtënave.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
