E ardhmja e Bradley Barcola-së te Paris Saint-Germain mbetet ende e paqartë, ndërsa merkatoja e verës po shkon drejt fundit. Klubi francez pret një ofertë të fundit nga Liverpooli për sulmuesin, me “Reds” që duhet t’i afrohen shifrës prej 140 milionë eurosh për të bindur kampionët e Europës.
Liverpooli ka arritur një marrëveshje paraprake me Barcola-në për kushtet personale, ndërsa vetë futbollisti dëshiron të largohet nga Parisi. Oferta e fundit e klubit anglez, prej 115 milionë eurosh, përfshirë bonuset, është refuzuar nga PSG-ja. Fillimisht, parizienët kërkonin 160 milionë euro për kartonin e francezit, por më pas e kanë ulur kërkesën në 140 milionë.
Tashmë ekziston mundësia që klubi francez të pranojë një propozim që i afrohet kësaj shifre. Situata e Barcola-së është komplikuar edhe më shumë pas vendimit të trajnerit Luis Enrique. Tekniku spanjoll e ka lënë jashtë planeve të tij, duke vlerësuar se një futbollist që e ka mendjen diku tjetër nuk mund të japë maksimumin në fushë.
Barcola, i cili fillimisht nuk kishte ndërmend të detyronte largimin dhe ishte i gatshëm të konkurronte për një vend në formacion, tashmë e ka ndryshuar qëndrimin. Afrimet e Ferran Torres dhe Mika Godts kanë bërë që hapësirat për të në sulmin e PSG-së të jenë edhe më të kufizuara.
Liverpooli pritet të bëjë një ofertë të fundit për 23-vjeçarin, ndërsa të gjitha palët shpresojnë që operacioni të mbyllet përpara fundit të merkatos, më 1 shtator. Barcola kishte njoftuar në korrik se nuk dëshironte të rinovonte kontratën me PSG-në, e cila skadon në vitin 2028.
Tani klubi francez duhet të gjejë zgjidhje për të ardhmen e tij, pasi shitja e Barcola-së do t’i hapte mundësi për të ndërhyrë sërish në merkato.
