Avokati Arbër Jashari ka reaguar pas aktakuzës së Prokurorisë Speciale ndaj Fatmir Shehollit, i cili dyshohet për bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), si dhe për një rast shantazhi në vlerë mbi 13 mijë euro.
Jashari e ka cilësuar këtë rast, së bashku me aktakuzat e mëhershme për spiunazh, si një alarm serioz për institucionet dhe shoqërinë tonë, duke paralajmëruar se rreziku mund të mos vijë vetëm nga jashtë, por edhe nga persona që veprojnë brenda vendit, përcjell “Bota sot”.
Reagimi i plotë Aktakuza e fundit e Prokurorisë Speciale lidhur me të pandehurin F.Sh., por edhe ato të mëhershmet kundër personave të dyshuar për spiunazh, janë një alarm që duhet të zgjojë vigjilencën dhe ndërgjegjen e secilit që jeton, punon dhe e do këtë vend. Në Kosovën tonë të dashur, spiunazhi po del se paska qenë problem i madh.
Armikun gjithmonë e kemi përfytyruar si dikë që një ditë na mësyn nga jashtë, me tanke e topa për të na pushtuar, duke harruar se atë mund ta kemi duke na gërryer nga brenda. Tamam si krimbi që hyn dhe e than pemën.
Tendencat për të na përçarë, destabilizuar dhe tjetërsuar si shoqëri nganjëherë janë qartazi të lexueshme — sidomos kur zhvillohen debate absurde, e nxirren tema që historia i ka hedhur moti në koshin e plehrave. Por nganjëherë ato shfaqen të ambalazhuara bukur dhe në mënyrë të sofistikuar.
Këtu duhet të bëjmë kujdes të gjithë pa dallim, e sidomos ata që kanë më shumë hapësirë publike, sepse argat dreqit mund t’i bëjnë edhe pa vetëdije. Ilaçi është shteti i fortë, me institucione të qëndrueshme e njerëz të ndershëm, ku sundimi i ligjit është brengë e secilit prej nesh.
I përgëzoj te gjithë ata profesionist dhe njerëz të ndershëm nga radhët e AKI-së, policisë dhe prokurorisë, qe me punën e tyre, po e bëjnë te mundur ruajtjen e sigurisë kombëtare.
