Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka deklaruar se është shumë i kënaqur me skuadrën që ka në dispozicion dhe se, sipas tij, “Los Blancos” nuk kanë nevojë për përforcime të tjera, pavarësisht se merkatoja ende nuk është mbyllur. Madrilenët kanë bërë disa ndryshime gjatë kësaj vere, duke transferuar gjashtë futbollistë, përfshirë Yan Diomanden, Bernardo Silvan dhe Marc Cucurellan.
Megjithatë, tentativa për të transferuar mesfushorin Rodri dështoi dhe spanjolli përfundimisht iu bashkua rivalëve të Barcelonës. “Mendoj se skuadra është e kompletuar, por merkatoja është ende e hapur. Asnjëherë nuk i dihet nëse një lojtar vjen dhe thotë: ‘Kam qëndruar dy herë në stol dhe dua të largohem. Teorikisht, jo, nuk ka më marrëveshje. Por gjithmonë mund të ndodhë diçka.
Në kokën time skuadra është e mbyllur dhe nuk kam kërkuar asnjë lojtar. Jam shumë i lumtur me futbollistët që kam”, ka deklaruar Mourinho. Real Madridi ka pasur vështirësi për ta kontrolluar ritmin e ndeshjeve në mesfushë që nga largimet e Luka Modric dhe Toni Kroos.
Në ndeshjen e parë të La Ligës, skuadra e Mourinhos siguroi një fitore dramatike 2:1 ndaj Espanyolit, me Bernardo Silvan dhe Federico Valverden që nisën së bashku në mesfushë. Ndërkohë, Mourinho konfirmoi se Aurelien Tchouameni nuk do të jetë i gatshëm për përballjen ndaj Real Sociedadit, pasi francezi nuk është rikuperuar plotësisht. “Pushimet nuk ishin të mjaftueshme për të.
Ai dëshironte të provonte, por vendosëm se nuk mund ta nisësh sezonin duke vuajtur. Mund ta përfundosh sezonin duke vuajtur në muajt e fundit, por nuk mund ta nisësh gushtin pa qenë 100 për qind”, tha trajneri portugez. Mourinho gjithashtu shprehu besimin e tij te Federico Valverde si mesfushor qendre, pavarësisht se uruguaiani në të kaluarën është përdorur edhe në pozita të tjera.
Trajneri i Real Madridit theksoi se në futbollin modern pozicionet nuk janë më aq të përcaktuara.
