Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka nisur kontrollet në furrat e bukës për verifikimin e peshës së produkteve dhe vlefshmërisë së peshoreve.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), më , e që sipas njoftimit të tyre kontrollet kanë nisur në rajonin e Prishtinës dhe gjatë ditëve në vijim do të vazhdojnë edhe në komunat e tjera të Kosovës.
Sipas MINTI-t, aksioni është ndërmarrë pas ankesave të konsumatorëve lidhur me dyshimet për mospërputhje ndërmjet peshës së deklaruar të bukës dhe peshës reale të produktit të blerë. Ndërsa, u theksua se gjatë kontrolleve zyrtarët e AMK-së po verifikojnë rregullsinë dhe afatin e vlefshmërisë së peshoreve që përdoren në furrat e bukës.
Po ashtu, sipas ministrisë, po kontrollohet nëse operatorët ekonomikë posedojnë pëlqimin për kushtet minimale teknike. MINTI ka bërë të ditur gjithashtu se bazuar në Ligjin Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, mospërputhja ndërmjet masës së produktit të promovuar dhe masës reale të produktit të shitur konsiderohet shkelje ndaj konsumatorit.
“Për këtë shkelje, bizneset mund të gjobiten nga 1,000 deri në 10,000 euro.” – theksuan nga MINTI. Ndërkaq, u njoftua se për përdorimin e peshoreve ose mjeteve të tjera matëse të parregullta, sipas legjislacionit në fuqi për metrologjinë, subjektet juridike mund të gjobiten nga 500 deri në 1,500 euro.
Lidhur me këtë, AMK-ja dhe IQMT-ja u kanë bërë thirrje furrtarëve që të verifikojnë me kohë afatin e vlefshmërisë së peshoreve, të sigurojnë matje të sakta të produkteve dhe të respektojnë kërkesat ligjore për mbrojtjen e konsumatorëve.
Gjithashtu sqarohet se bizneset që nuk posedojnë pëlqimin për kushtet minimale teknike janë ftuar të aplikojnë pranë MINTI-t për t’u pajisur me dokumentacionin përkatës.
Sipas njoftimit të ministrisë, AMK-ja dhe IQMT-ja do të vazhdojnë kontrollet në të gjithë territorin e Kosovës, me qëllim të verifikimit të saktësisë së matjeve dhe respektimit të legjislacionit për mbrojtjen e konsumatorëve.
