Roger Federer rikthehet në Arthur Ashe Stadium, pesë vjet pas paraqitjes së tij të fundit në një ndeshje teke, për një event ekspozues në US Open.
Legjenda zvicerane, 45-vjeçare dhe fitues i 20 Grand Slamëve, do të luajë një set teke kundër ish-kampionit të US Open, Andy Roddick, ndërsa më pas do të marrë pjesë edhe në një ndeshje dyshe së bashku me John McEnroe, kundër Roddick dhe Andre Agassit. Federer pranoi se ka pak emocione për rikthimin në fushë. “Nuk e di si do të shkojë nesër.
Ka shumë pasiguri, por edhe shumë lumturi që mund të rikthehem në Arthur Ashe, një vend ku kam përjetuar kaq shumë momente të bukura.” Federer dominoi US Open në fillim të karrierës, duke fituar pesë tituj radhazi nga 2004 deri në 2008. Megjithatë, humbja ndaj Grigor Dimitrov në çerekfinalet e vitit 2019 rezultoi të ishte ndeshja e tij e fundit në turne.
Pas problemeve të vazhdueshme me gjurin dhe disa ndërhyrjeve kirurgjikale, Federer u tërhoq nga tenisi profesionist në vitin 2022. Ai ka bërë të qartë se rikthimi i së martës është vetëm një event special dhe nuk ka ndërmend të rikthehet në konkurrencën profesionale. “Jo, jo, jo. Aspak”, tha Federer kur u pyet nëse mund të rikthehej për të garuar në turnetë e mëdhenj.
Rikthimi në New York vjen vetëm pak ditë para një tjetër momenti të rëndësishëm për të: Federer do të nderohet me përfshirjen në International Tennis Hall of Fame në Newport, Rhode Island. Për të, paraqitja në Arthur Ashe ka një kuptim emocional.
“Më jep një mundësi të vërtetë për të thënë faleminderit dhe lamtumirë, gjë që mendoj se është e rëndësishme për disa.” Federer nuk po rikthehet për një tjetër trofe. Po rikthehet për të përshëndetur një skenë ku shkroi disa nga kapitujt më të bukur të historisë së tenisit.
