Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka shpallur “heronj të punës” katër kolegët e tyre që humbën jetën në vendin e punës – Migjen Sadikun, Milazim Binakun, Haxhi Gojnovcin dhe Arbenit Ahmetin. Fotot e tyre, në një aksion simbolik janë vendosur, të martën, para zyrave të selisë së KEK-ut, në Prishtinë.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, tha se ky aksion synon të rikujtojë përgjegjësinë e institucioneve dhe menaxhmentit për sigurinë e punëtorëve.
Jashari: Katër kolegët i shpallëm heronj të punës…po të kishte më shumë siguri ata do të ishin gjallë “Dje, me vendim të kryesisë dhe të këshillit ekzekutiv të sindikatës së re, këta punëtorë, Migjen Sadikun, Milazim Binakun, Haxhi Gojnovcin dhe Arbenit Ahmetin, sindikata e re i shpall hero të punës, me mirënjohje post mortum…Kërkojmë nga institucionet e Republikës së Kosovës, nga korporata energjetike e Kosovës, të respektohet ligji i punës.
Sepse pa respektimin e ligjit të punës, punëtori e humb të drejtën me punu dhe me jetu…Ndoshta me një menaxhim më të mirë, me një siguri më të madhe, sot ata do të ishin në mesin tonë” , u shpreh ai.
Ndërkohë, nënkryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, tha se krahas aksionit para KEK-ut, sindikata do të zhvillojë edhe një aksion simbolik, të mërkurën, para Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) teksa kritikoi udhëheqjen e kësaj të fundit se nuk ka reaguar sa duhet për çështjet që lidhen me të drejtat dhe sigurinë e punëtorëve.
Llumnica: Kryetari i BSPK-së kurrë nuk e ngrit zërin për punëtorët “Ne sot kemi vendos, përveç atyre që tha kryetari dhe i shpall-i punëtorët e vdekur aksidentalisht në vitin 2026 hero, me vendimin e kryesisë do të shkojmë dhe ta bëjmë një simbolikë ngjashme te Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, përkatësisht kryetari i vetëquajtur, i cili asnjëherë nuk e ngriti zanin për asnjë punëtor.
Kryetari i punëtorëve nuk flet për punëtorët. Paramendo, kjo tregon qartë se sa aktiv është kryetari i BSBK-së bashkë me BSBK-në e vetëquajtur.
Nga këtu na nisni edhe atje në një aksion simbolik, ku do të bëjmë edhe fotografinë e këtyre 4 punëtorëve, si shenjë e revoltës që nuk ka folur asnjëherë deri më dje, që dje e kishin pas thirrë menaxhmenti i KEK-ut në një takim, e ia kanë nxitë ndërmend që është sindikalista.
Nuk i ka ditur as vetë, e as nuk e dinë si është zgjedhur, e nuk flet për punëtorët, e kjo është e tmerrshme” , ka thënë ai. Ani se paralajmëruan aksion simbolik para BSPK-së, të mërkurën, pjesëtarët e Sindikatës së Re të KEK i vendosën fotografitë e kolegëve të tyre të vdekur edhe para selisë së kësaj sindikate.
KosovaPress është duke u përpjekur të marrë një koment të kryetarit të BSPK-së, për kritikat që iu bënë nga përfaqësuesit e punëtorëve të KEK-ut.
