Gislein Maxwell ka dështuar në përpjekjen e saj të radhës për të rrëzuar dënimin me 20 vite burg për rolin në rekrutimin e vajzave të mitura për Jeffrey Epstein. Maxwell, 64 vjeçe, po vuan një dënim prej 20 vitesh burgim pasi u shpall fajtore për rolin e saj në shfrytëzimin seksual të vajzave të mitura dhe rekrutimin e tyre për Epstein.
Në kërkesën e saj të re, ajo pretendoi se të drejtat e saj kushtetuese ishin shkelur “në mënyra të shumta” dhe kërkoi që dënimi i dhënë ndaj saj të rrëzohej. Megjithatë, një gjykatës në Nju Jork i hodhi poshtë të gjitha pretendimet, duke i cilësuar ato “të pamatura” dhe “të pabazuara”. Gjykatësi e përshkroi gjithashtu kërkesën e Maxwell si “të gjatë dhe jokoherente”.
Një nga argumentet kryesore të Maxwell lidhej me dokumentet e çështjes Epstein, të cilat u bënë publike më herët gjatë këtij viti nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë. Ajo pretendoi se materialet e reja mbështesnin versionin e saj se ishte dënuar padrejtësisht. Por gjykata arriti në një përfundim krejt të kundërt.
Sipas vendimit, dokumentet e publikuara “në asnjë mënyrë nuk e shfajësojnë” Maxwell. Përkundrazi, materiali ose përmban elemente që rëndojnë pozitën e saj, ose konfirmon saktësinë e dënimit të dhënë në gjyqin fillestar.
Maxwell u shpall fajtore në dhjetor 2021 për pesë akuza penale të rënda dhe më pas u dënua me 20 vite burg për rolin e saj në rekrutimin dhe shfrytëzimin seksual të vajzave për Epstein. Në përfundim, gjykatësi e paralajmëroi Maxwell që të mos paraqesë kërkesa të tjera të ngjashme.
Sipas tij, një përpjekje e re e bazuar në të njëjtat pretendime nuk do të konsiderohej nga gjykata si e bërë “në mirëbesim”.
