Futbollisti serb Uros Milosevic është arrestuar të mërkurën në Portugali, pasi policia ndaloi furgonin që ai po drejtonte në autostradën A6. Në automjetin e drejtuar nga 31-vjeçari u gjetën më shumë se 1.5 ton kokainë, me vlerë mbi 70 milionë euro, si dhe dy armë ushtarake të ngarkuara dhe të gatshme për përdorim.
Policia gjyqësore portugeze zhvilloi një operacion në autostradën A6, duke goditur një rrjet të dyshuar kriminal të lidhur me të ashtuquajturin “Karteli i Ballkanit”. Ajo që tërhoqi vëmendjen e autoriteteve ishte fakti se pas timonit të furgonit të mbushur me drogë ndodhej Milosevic, i cili ka qenë futbollist profesionist në Serbi.
Milosevic nuk është emër shumë i njohur për publikun e gjerë të futbollit, por gjatë karrierës së tij ka luajtur për disa klube serbe, përfshirë Cukaricki, FK IM Rakovica, FK Teleoptik dhe FK Sindjeliq Beograd. Ai ka qenë joaktiv në futboll gjatë tre viteve të fundit.
Arrestimi i tij erdhi pas një operacioni tjetër të madh të zhvilluar javën e kaluar në Spanjë, ku u arrestuan dy persona të dyshuar si anëtarë të të njëjtit rrjet dhe u sekuestruan rreth 3.7 ton drogë. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim mes autoriteteve portugeze dhe spanjolle. Sipas autoriteteve, “Karteli i Ballkanit” ka shtrirje në disa vende evropiane.
Organizata dyshohet se ka bazë në jug të Spanjës dhe se ka përdorur bregdetin portugez si pikë për shkarkimin e sasive të mëdha të kokainës, e cila më pas shpërndahej në vende të ndryshme të kontinentit. Autoritetet portugeze po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar rolin e saktë të Milosevicit në këtë rrjet kriminal, ndërsa nuk përjashtohen arrestime të tjera në kuadër të hetimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
