Një rast i pazakontë me armë zjarri ka ndodhur në Vitomiricë të Pejës, ku një 27-vjeçar është gjetur i plagosur në gjoks, ndërsa Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat se si erdhi deri te plagosja, raporton ekskluzivisht Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se personi i përfshirë në këtë rast është Ardit Krasniqi rreth 27-vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur më 24 gusht, rreth orës , në rrugën “Hysni Hyka” në fshatin Vitomiricë. Pas pranimit të informatës për rastin, njësia patrulluese ka dalë menjëherë në lokacion, ku policët kanë hasur Krasniqin me një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit në pjesën e majtë të gjoksit.
Mister në Vitomiricë të Pejës | 27-vjeçari gjendet i plagosur me armë në gjoks – Policia gjen armën dhe 11 fishekë në kombi Në vendngjarje ka intervenuar edhe ekipi mjekësor, i cili i ka ofruar ndihmën e parë 27-vjeçarit dhe më pas e ka transportuar atë në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim të mëtejmë.
Por ajo që kanë gjetur policët në vendngjarje ka ngritur dyshime për mënyrën se si mund të ketë ndodhur plagosja. Në afërsi është hasur një kombi Volkswagen, ndërsa brenda tij Policia ka gjetur një armë zjarri dhe 11 fishekë të kalibrit 7.62×39 mm. Një gëzhojë e të njëjtit kalibër është gjetur në tokë, në afërsi të automjetit.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, dyshimet fillestare të Policisë janë se arma e gjetur në kombi është përdorur nga vetë Krasniqi dhe se 27-vjeçari dyshohet se e ka shkaktuar vetë plagosjen. Megjithatë, bëhet fjalë për dyshimet fillestare dhe dinamika e saktë e incidentit mbetet objekt i hetimeve.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Hetuesit tashmë pritet të zbardhin rrethanat e plota të incidentit dhe të përcaktojnë saktësisht se si erdhi deri te plagosja e 27-vjeçarit dhe çfarë ndodhi para se Policia ta gjente të plagosur në Vitomiricë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
