Mosha është vetëm një numër për Pierre-Emerick Aubameyang. Në moshën gati 38-vjeçare, sulmuesi gabonez vazhdon të lërë gjurmë dhe tashmë po e merr mbi supe Deportivo La Coruñan, shkruan “Tuttomercatoweb”.
Pas golit në debutimin e sezonit në La Liga, ish-sulmuesi i Marseillet e ka përsëritur skenarin edhe në javën e dytë, duke e shënuar golin e avantazhit të përkohshëm në barazimin 1-1 ndaj Malagas. Në minutën e 21-të, Aubameyang përfitoi nga një pasim perfekt në thellësi, e shmangu portierin me shpejtësinë e tij karakteristike dhe e dërgoi topin në portën e boshatisur.
Një gol që konfirmon ndikimin e shkëlqyer që e ka pasur me skuadrën e re. Gabonezi është në fakt lojtari i vetëm i Deportivos që ka shënuar në dy javët e para të kampionatit. Edhe në ndeshjen hapëse ndaj Elches, ai e kishte zhbllokuar rezultatin, çuditërisht sërish në minutën e 21-të, duke treguar se tashmë është pika kryesore e referimit në sulmin e skuadrës galiciane.
I transferuar në La Coruña në mesin e korrikut, pas aventurës së fundit me Marseillen, Aubameyang duket se e ka rigjetur entuziazmin dhe vazhdimësinë. Sezonin e kaluar, me klubin francez, ai e mbylli me 14 gola dhe 10 asistime në të gjitha kompeticionet, shifra që e bindën Deportivon të investonte tek ai me një kontratë dyvjeçare.
Përgjigjet e para në fushë po e shpërblejnë zgjedhjen e klubit: me dy gola në dy paraqitjet e para dhe me paraqitje bindëse si titullar, Aubameyang i ka fituar tashmë zemrat e tifozëve të Deportivos. Klubi është rikthyer këtë sezon në elitën e futbollit spanjoll dhe synon ta ndërtojë luftën për mbijetesë duke u mbështetur te eksperienca dhe nuhatja për gol e sulmuesit të tij të ri.
