Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar për 10 raste të reja me fruth gjatë javës së fundit. Sipas të dhënave të IKSHPK-së, nga 16 prilli deri më , në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 147 raste me fruth, numër ky më shumë se dyfishi i rasteve të konfirmuara gjatë gjithë vitit 2025.
Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë me 49 raste dhe Fushë-Kosovë me 35 raste. Pas tyre renditen Ferizaj me 13 raste, Obiliqi me 9, Lipjani me 8 dhe Kaçaniku me 7 raste. Nga katër raste janë raportuar në Vushtrri dhe Shtime, nga tre në Skenderaj dhe Drenas, ndërsa Gjilani, Gjakova, Shtërpca dhe Deçani kanë nga dy raste.
Me nga një rast janë raportuar komunat Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë, Suharekë dhe Viti. IKSHPK ka bërë të ditur se gjatë tri javëve të fundit ekipet e vaksinimit kanë intensifikuar aktivitetet në komunat me numrin më të lartë të rasteve. Si rezultat, me vaksinën MMR janë vaksinuar 504 fëmijë që kishin vonesa në vaksinimin sipas kalendarit të rregullt.
Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve që personat me simptoma të dyshimta të fruthit, përfshirë temperaturë të lartë, skuqje të lëkurës, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqiten menjëherë në institucionin më të afërt shëndetësor. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
