Situata vijon të jetë kritike prej disa ditësh në Gojan të Pukës, ku një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme pyjore dhe tashmë po kërcënon seriozisht zonat e banuara. Flakët kanë përshkuar thuajse një mal të tërë, ndërsa gjatë orëve të natës situata është përkeqësuar.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë vatrat e zjarrit të përhapura në terren, me flakët që shfaqen të pakontrolluara dhe që vijojnë të avancojnë në drejtim të fshatrave. Ndërhyrja nga toka paraqitet e pamundur, për shkak të terrenit të vështirë dhe përmasave që ka marrë zjarri.
Përballë rrezikut të përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara, prej disa ditësh ka nisur edhe evakuimi i banorëve nga zonat e prekura, me qëllim shmangien e rrezikut për jetën. Situata mbetet shqetësuese, ndërsa vijon monitorimi i zjarrit dhe përpjekjet për të parandaluar afrimin e flakëve drejt banesave.
Terreni i thyer dhe përhapja e shpejtë e zjarrit e bëjnë situatën veçanërisht të vështirë, ndërsa banorët presin ndërhyrje për të frenuar flakët dhe për të garantuar sigurinë e zonave të banuara. /Tch
