Ukraina pret 30 miliardë euro nga Bashkimi Evropian (BE) për të financuar mbrojtjen e saj. Kështu tha presidenti Volodymyr Zelensky para gazetarëve në Kiev. “Ato duhen për mbrojtjen e gjithë vendit. Sot buxheti i mbrojtjes ka një hendek prej rreth 23 miliardë eurosh. Paratë duhen për pagat e ushtarëve, për dëmshpërblimet e familjeve të të rënëve dhe për shpenzime të tjera.
Veç kësaj, Ukrainës i nevojiten para edhe për prodhimin e dronëve. Kërkohet një shumë e konsiderueshme. Për këtë çështje po punoj me francezët dhe gjermanët”, tha Zelensky. Zelensky njofton përparime në terren Njëkohësisht presidenti vuri në dukje sukseset në front. Sipas tij, që nga fillimi i vitit forcat e armatosura kanë rimarrë 820 kilometra katrorë.
Rajoni i Dnipropetrovskut ndodhet tashmë gati plotësisht nën kontrollin ukrainas. Vetëm rreth dhjetë kilometra katrorë me tri vendbanime janë ende jashtë kontrollit të plotë të Kievit. Zelensky pranoi po ashtu se Rusia ka pushtuar rreth 990 kilometra katrorë territor ukrainas që nga fillimi i vitit. Ai beson se trupat ukrainase do të rimarrin edhe zona të tjera deri në fund të vitit.
Një dorëzim vullnetar të Donbasit ai e përjashtoi sërish. Moska kishte kërkuar tërheqjen nga ky rajon lindor si kusht për armëpushim. Paralajmërim për zgjedhje gjatë luftës Ministri i Mbrojtjes, Mihajlo Fedorov, u shkarkua në korrik dhe kërkoi zgjedhje qysh gjatë luftës. Zelensky e hodhi poshtë me ashpërsi këtë kërkesë.
“Zgjedhjet në këtë moment do të ishin si një cunam për shtetin dhe do ta përçanin Ukrainën”. “Prandaj strategjia ime është ta udhëheq vendin deri në fund të luftës dhe të ruaj një shtet të pavarur e sovran”, deklaroi ai. Rreth një muaj pas largimit, Fedorovi bëri thirrje të gjendet një “mekanizëm ligjor, i sigurt dhe realist” për zgjedhje, pavarësisht pushtimit rus.
“Demokracia nuk duhet të mbahet peng nga Rusia”, tha 35-vjeçari në një mesazh video. Megjithatë, ai nuk paraqiti një plan konkret. Miliona njerëz do ta kishin të vështirë të votonin Një zgjedhje në kohë lufte ngre probleme praktike. Si do të votojnë ushtarët në front, miliona refugjatë ukrainas jashtë vendit dhe njerëzit në zonat e pushtuara nga Rusia?
Kësaj i shtohet edhe rreziku i dezinformimit rus. Zelensky tha se deri tani askush nuk ka shpjeguar si mund të organizohen zgjedhje të sigurta në këto kushte. Që nga nisja e pushtimit rus në shkurt 2022 në fuqi është ligji i luftës. Ai i mban zgjedhjet të pezulluara. Mandati i rregullt i Zelenskyt si president përfundoi në maj 2024.
Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev zhvilloi një sondazh në korrik dhe gusht. Vetëm 15 për qind e të pyeturve mbështetën zgjedhjet para përfundimit të luftës. Fedorovi u shkarkua më 15 korrik gjatë një riformatimi të qeverisë, pas vetëm gjashtë muajsh në detyrë. Largimi i tij nxiti protesta disaditore. Vetëm në Kiev dolën në rrugë mijëra njerëz.
Disa mbështetës të tij u distancuan më pas nga nisma e tij për zgjedhje. “Koalicioni i Vullnetarëve” diskuton ndihmën e mëtejshme Të hënën mblidhet sërish “Koalicioni i Vullnetarëve” (grupi i shteteve që mbështetin ushtarakisht Ukrainën). Takimi bie në ditën e Pavarësisë së Ukrainës.
Në krye të tij janë kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Andy Burnham. Merr pjesë edhe Zelensky. Bisedimet do të përqendrohen te forcimi i mbështetjes për Ukrainën dhe te vijimi i punës për garancitë e sigurisë. Këto duhet të ndihmojnë për një paqe të qëndrueshme në rast armëpushimi. / DW
