Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se gjatë dhjetëditëshit të dytë të muajit gusht është konfirmuar rasti i parë me Virusin e Nilit Perëndimor (WNV) në Shqipëri për vitin 2026. Rasti është evidentuar në qarkun e Korçës.
Sipas Ministrisë, që prej fillimit të vitit janë testuar 30 mostra nga raste të dyshuara për infeksion nga Virusi i Nilit Perëndimor, të cilat kanë rezultuar negative. Pas konfirmimit të rastit, Instituti i Shëndetit Publik po vijon survejancën epidemiologjike, hetimin epidemiologjik dhe entomologjik, si dhe monitorimin e situatës në vend.
Në Shqipëri, infeksioni nga Virusi i Nilit Perëndimor është evidentuar edhe në vitet e mëparshme. Në vitin 2024 u raportuan 107 raste të konfirmuara dhe 50 raste të mundshme, ndërsa në vitin 2025 u regjistruan dy raste të konfirmuara.
Njoftimi: Gjatë monitorimit sistematik dhe intensiv të infeksionit nga Virusi i Nilit Perëndimor (WNV) në vend, vetëm gjatë dhjetëditëshit të dytë të muajit gusht u evidentua rasti i parë për vitin 2026, në qarkun e Korçës. Që nga fillimi i muajit janar 2026, janë testuar 30 mostra të rasteve të dyshuara për infeksion nga WNV, të cilat kanë rezultuar negative.
Rasti i evidentuar, përbën rastin e parë të konfirmuar në Shqipëri për vitin 2026. ISHP po vijon survejancën epidemiologjike në njerëz, hetimin epidemiologjik dhe entomologjik të rastit të konfirmuar dhe monitorimin e situatës. Në Shqipëri, infeksioni nga WNV është dokumentuar edhe më parë.
Në vitin 2024 janë raportuar 107 raste të konfirmuara dhe 50 raste të mundshme, ndërsa në vitin 2025 janë raportuar 2 raste të konfirmuara.
