Vanessa Bryant ndau një homazh prekës për bashkëshortin e saj të ndjerë, Kobe Bryant, në ditën kur ai do të festonte 48-vjetorin. 44-vjeçarja publikoi në Instagram një fotografi të Kobe-t, ku ai shihet i ulur në prehrin e saj, duke e shoqëruar me fjalët: “Gëzuar ditëlindjen, zemër. Të dua shumë”.
Postimi u prit me komente mbështetëse nga miq dhe emra të njohur, mes tyre David Beckham, Kris Jenner, Gabrielle Union dhe Michael Phelps. Edhe vajza e tyre e madhe, Natalia Bryant, e kujtoi të atin në këtë ditë të veçantë. 23-vjeçarja publikoi një fotografi nga fëmijëria me Kobe-n në Instagram Stories, duke shkruar: “Gëzuar ditëlindjen, babi”, shoqëruar me një zemër të kuqe.
Kobe Bryant dhe vajza e tij 13-vjeçare, Gianna, humbën jetën tragjikisht në janar të vitit 2020, pas rrëzimit të një helikopteri në Calabasas të Kalifornisë. Që prej atëherë, Vanessa dhe familja e kanë kujtuar vazhdimisht legjendën e basketbollit dhe Giannën përmes mesazheve dhe aktiviteteve të fondacionit Mamba & Mambacita.
Në ditën e ditëlindjes së tij, edhe NBA e nderoi Kobe-n me një postim përkujtimor, duke rikthyer në vëmendje trashëgiminë e një prej figurave më ikonike të basketbollit.
