Prokuroria: Bashkëshorti dyshohet për vrasjen e gruas në Malishevë

0%

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditura detaje të reja lidhur me rastin e rëndë në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një grua humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.

Sipas Prokurorisë, bashkëshorti i viktimës është i dyshuari për rastin, ndërsa edhe ai ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë e kritike për jetën. “Një person i gjinisë femërore, bashkëshortja e personit të dyshuar, si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë në QKUK”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Ndërkaq, për të dyshuarin, Prokuroria ka bërë të ditur se ai është duke u trajtuar në QKUK. “Personi i gjinisë mashkullore, po ashtu ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit, i cili është dërguar për trajtim mjekësor dhe sipas njoftimit nga QKUK, i njëjti është në gjendje të rëndë dhe kritike për jetën”, thuhet më tej. Viktima ishte shtatzënë në javën e 34-të.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ajo, pavarësisht masave reanimatore të ndërmarra nga ekipi mjekësor, nuk ka mundur t’u përballojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në QKUK. Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa me urdhër të tij trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi.

Rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Prokuroria, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka njoftuar se po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e plotë të rrethanave dhe sigurimin e provave relevante.

Burimi: Telegrafi