HMD ka prezantuar Nokia 300 Charge, një telefon klasik me tastierë që vjen me një veçori mjaft të pazakontë për këtë kategori: bateri 3,700 mAh dhe funksion karikimi të kundërt. Përmes portës USB-C, bateria mund të karikohet me 10W, ndërsa një buton i dedikuar “Out” në anë e kthen telefonin në një lloj power bank-u, duke lejuar karikimin e pajisjeve të tjera me të njëjtën fuqi.
Për një telefon tradicional, bateria është jashtëzakonisht e madhe. Për krahasim, Nokia 110 Power ka bateri 1,750 mAh, ndërsa Nokia 105 ka vetëm 1,000 mAh, transmeton Telegrafi. Sipas HMD, Nokia 300 Charge mund të qëndrojë deri në 40 ditë në pritje dhe të ofrojë deri në 37 orë biseda, duke e bërë potencialisht një telefon ideal rezervë për udhëtime apo situata emergjente.
Por ka një kufizim të madh: pajisja mbështet vetëm rrjetet 2G, në frekuencat 900 dhe 1,800 MHz. Kjo do të thotë se telefoni nuk mund të përdoret në shumë vende ku rrjetet 2G janë çaktivizuar. Telefoni ka gjithashtu një elektrik dore shumë të fuqishme, që sipas HMD është katër herë më e ndritshme se ajo e Nokia 105 dhe dy herë më e ndritshme se elektrikja e iPhone 16 Pro.
Nokia 300 Charge ka ekran 2.4-inç, rezolucion 320×240 pikselë, sistemin S30+ dhe procesorin Unisoc SC6531E. Ka vetëm 4 MB RAM dhe 4 MB hapësirë të brendshme, por mbështet kartë microSD deri në 32 GB dhe ruan edhe folenë tradicionale 3.5 mm për kufje.
Me dizajn këndor dhe anë me teksturë, telefoni synon të japë një pamje të fortë dhe rezistente, edhe pse nuk ka certifikim zyrtar për rezistencë ndaj ujit apo goditjeve. Nokia 300 Charge është shfaqur në disa tregje të Azisë me çmim rreth 35–37 dollarë, ndërsa në disa vende shitet edhe me emrin Nokia 300 Power Bank.
Një telefon pa aplikacione moderne, pa 5G dhe me vetëm 4 MB RAM — por me një bateri që mund të karikojë edhe telefonin tuaj.
