Një 26-vjeçar belg, i cili deri vonë kishte punuar si shitës makinash, është njohur zyrtarisht si pjesë e familjes mbretërore belge, pasi babai i tij, Princi Laurent, e ka pranuar ligjërisht si djalin e tij. Bëhet fjalë për Clément Vandenkerckhove , djalin e Princit Laurent – vëllait më të vogël të Mbretit Philippe të Belgjikës – dhe këngëtares belge Wendy Van Wanten .
Njohja ligjore e atësisë u formalizua disa muaj më parë, por lajmi u bë publik këtë javë. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Clément e kishte mësuar identitetin e babait të tij vetëm në moshën 16-vjeçare . Më vonë ai kontaktoi Princin Laurent dhe një test i ADN-së konfirmoi lidhjen biologjike mes tyre.
Princi Laurent më pas e ka regjistruar zyrtarisht atësinë në regjistrin civil belg, duke bërë që 26-vjeçari të njihet ligjërisht si Princ i Belgjikës dhe të fitojë të drejta trashëgimie mbi pasurinë private të babait të tij. Megjithatë, titulli mbretëror nuk do të thotë se Clément do të ketë të drejtë në fron apo do të marrë financim publik.
Ai nuk pritet të kryejë detyra zyrtare mbretërore, ndërsa mund të ruajë edhe mbiemrin e nënës së tij. Historia e tij ka tërhequr vëmendje të madhe në Belgjikë dhe jashtë saj: nga një jetë e zakonshme dhe punë në shitjen e makinave, 26-vjeçari tani është zyrtarisht pjesë e familjes mbretërore belge. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!