Metush Krasniqi, hero i kombit, statuja e të cilit po e ndriçon Fushë

0%

Këtyre ditëve ishin përkujtimet e 100-vjetorit të lindjes së heroit dhe kolosit shqiptar, Metush Krasniqit, ku me pietet dhe krenari u fol për veprimtarinë e tij kombëtare, bashkëpunëtor i ngushtë i Adem Demaçit, udhëheqës, organizator i veprimtarisë ilegale në mbrojtje të çështjes kombëtare dhe i burgosur politik me kohëzgjatje të disidentit afrikan Nelson Mandela, që, në të vërtetë, do të duhej të thuhej për të, Adem Demaçi i Republikës së Dardanisë.

Pasi kam pasur nderin, privilegjin dhe kënaqësinë që, në momentin kur heroi Metush Krasniqi u lirua nga burgu dhe u kthye në vendlindje, në Dajkoc, në një gjendje të rëndë ekonomike, ashtu siç e dëshironte regjimi kriminal e shtypës i asaj kohe rreth çdo gjëje shqiptare, u informuam dhe nisëm të interesohemi që të krijohej ndonjë mundësi rreth inkuadrimit të tij në ndonjë vend pune, anipse biografia e tij na e vështirësonte që të gjenim zgjidhje.

Sepse, me një biografi të tillë, së pari, pak njerëz pranonin ta merrnin në kolektivin punues, pasi nga organet partiake akuzoheshin se po i ndihmonin armiqtë e ish-Jugosllavisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pasi Organizata Transportuese Hekurudhore e atëhershme “Prishtina” u shkëput nga bashkësia me hekurudhat në kuadër të Drejtorisë së Hekurudhave të Beogradit, anipse në aspektin tekniko-teknologjik ekzistonte lidhshmëria me hekurudhat ish-jugosllave e evropiane, përpos atyre me Rusinë, pasi dimensioni i gjerësisë në mes të binarëve evropianë ishte 1435 mm, ndërsa atyre ruse 1455 mm, kur ata i vendosën këto dimensione gjatë Luftës së Dytë Botërore për interesa të transportit ushtarak.

Kjo organizatë kishte mbi 3000 të punësuar, me të gjitha organet dhe organizatat bazë, apo siç i quanin atëherë, Organizatat e Punës së Bashkuar. Isha i zgjedhur kryetar i Sindikatave të Hekurudharëve të Dardanisë (Kosovës) dhe, njëherësh, edhe kryetar i Komisionit Qendror për pranimin e punëtorëve në nivel të Organizatës Punuese.

Në ndërkohë, u hap një vend pune për përpilimin e raporteve të dëmeve gjatë procesit të ushtrimit të veprimtarisë së komunikacionit dhe transportit hekurudhor. Sipas përshkrimit të natyrës së punës, menjëherë na shkoi mendja te Metush Krasniqi, të cilin disa e njihnin edhe më mirë.

U shpall konkursi dhe filluam t’i mblidhnim dokumentet e konkurrentëve, ndërsa ishte themeluar komisioni në nivel të organizatës punuese, në përbërje: unë, Hafiz Shala, kryetar; Remzi Beselica (i ndjerë), anëtar; dhe një Pavle Gashoviq, nga radhët e serbëve, anëtar. Pasi e informuam Metushin që të konkurronte, filluan të vinin edhe dokumentet e konkurrentëve të tjerë.

Pasi e kompletuam dokumentacionin e konkurrentëve, e thirra mbledhjen dhe filluam t’i shqyrtonim një nga një, anipse u kujdesëm që ato të Metushit të ishin më të favorshme. Ndërkohë, anëtari Pavle Gashoviq reagoi se ai paska njohuri se ky njeri është armik i Jugosllavisë (siç, në të vërtetë, ishte) dhe tha se ky ka qenë në burg etj.

E kundërshtova, duke i thënë se ne nuk kemi njohuri për këtë. Serbët e Fushë Kosovës, me theks të veçantë ata të inkuadruar në hekurudha, gjithnjë kanë qenë të lidhur drejtpërdrejt me Beogradin, gjë që e vërteton edhe vizita e parë e Millosheviqit, i cili nga aeroporti erdhi para Domit të Kulturës në Fushë Kosovë dhe mbajti fjalimin e tij të zjarrtë para serbëve se askush nuk guxon t’ju prekë me dorë.

Kam qenë prezent në atë masë dhe e kam dëgjuar në tërësi. Ishte tipik fjalim i tij. Dua të theksoj, ndoshta për të parën herë, se Fushë Kosova ka qenë një Mitrovicë e Veriut me politikat dhe sjelljet e tyre ultrashoviniste, me të drejta të kufizuara për shqiptarët. T’i kthehem temës. Z.

Gashoviq nuk hiqte dorë nga kundërshtimi i tij, sa që m’u desh ta thërrisja Komitetin Komunal të LK të Prishtinës, kryetarin e atëhershëm, z. Asllan Fazliun, sepse pa pëlqimin e tyre nuk mund të merrnim vendim. E caktuam takimin dhe shkuam. Fillova, në cilësinë e kryetarit, ta shpjegoja procedurën dhe rastin e Metushit, se ka qenë i burgosur dhe e ka përfunduar dënimin.

Mendoj se duhet mundësuar inkuadrimi në një vend pune, i cili nuk ka të bëjë asgjë me çështje politike, por kryesisht profesionale. Z. Asllan Fazliu, t’u përkujtoj lexuesve, ka qenë shërbëtor në shtëpinë e Ramë Bllacës dhe, si nxënës i zgjuar, ia kishte paguar shkollimin e të gjitha niveleve.

Pasi më dëgjoi, m’u drejtua duke më pyetur: “A e merrni përgjegjësinë për sjelljet e tij në kuadër të kolektivit?” U zotuam se po. Me thënë të drejtën, nuk ishte lehtë të garantoje për një njeri të tillë, të cilin, gjatë vizitës së Titos në Dardani (Kosovë), të tillët i burgosnin në izolim derisa të përfundonte vizita.

Dhe, pas përfundimit të vizitës së Titos, i shkuan në burg dhe ia kishin përgatitur një letër për ta nënshkruar: “Unë, Metush Krasniqi, nuk do të merrem me veprimtarinë nacionaliste irredentiste etj.” Nga dritarja e burgut, me të lexuar këtë tekst, ua shqeu para syve të tyre, ndërsa ata, të nervozuar, ia kthyen: “Edhe një muaj burg do ta vazhdojmë.” U tha: “Po ma bëni mirë, sepse burgu për mua është liri.

Sepse unë dua të jem i burgosur bashkë me popullin tim, i cili nuk është i lirë. Prandaj, burgu për mua, bashkë me popullin, është ‘liri’.” Unë vërtet ndihem krenar që e pata mundësinë ta ndihmoj një hero, i cili la histori të bujshme. Duke u nisur nga një tregim i shkurtër, desha ta shpjegoj më tepër rreth titullit të dytë të këtij shkrimi, që ka domethënie shumë të rëndësishme.

Kolonel Ahmet Krasniqi, ish-ministër i parë i Mbrojtjes (i martuar me serbe, i akuzuar nga oponentët e UÇK-së) Heroi Metush Krasniqi ka kontrolluar dhe ka pasur ndikim në orientimin e shumë gjërave në kahjen, orientimin dhe ndërmarrjen e hapave të drejtë, si një atdhetar i përkushtuar dhe një vizionar me një largpamësi afatgjatë.

Unë e pashë në një vend në Facebook se i kishin nxjerrë në një fotografi Tahir Zemajn dhe Metush Krasniqin, me shtojcën se të dy janë të martuar me serbe. Rreth ushtarakut të karrierës, Tahir Zemajt, nuk kam aq njohuri sa për kolonel Ahmet Krasniqin.

Ahmet Krasniqi është urdhëruar nga heroi Metush Krasniqi të shkonte në Akademinë Ushtarake në Beograd për t’u aftësuar në artin e lartë ushtarak. Kur ia komunikon Ahmet Krasniqit për këtë vendim të tij, ai mbetet i stepur, duke iu drejtuar atij: “Ju e dini që unë jam nipi i Aziz Zhilivodës, i cili i vrau 15 serbë dhe u largua për Shqipëri.

Prandaj, nuk ka kurrfarë shanse që unë të depërtoj në Akademinë Ushtarake në Beograd, me të kaluarën e familjes sime.” Metushi ia jep vendimin shokues për të: “Ti do të martohesh me serbe.” U shokua njeriu dhe mbeti pa fjalë. “Po”, i tha, “ti, nip i Aziz Zhilivodës, për hir të atdheut dhe kombit, duhet ta bësh edhe këtë.” Unë kam takuar në Fushë Kosovë dhe kemi biseduar edhe për këtë.

Ahmet Krasniqi ka diplomuar në Akademinë Ushtarake në Beograd me sukses të shkëlqyeshëm. Prandaj, Dr. Ibrahim Rugova e caktoi në postin e komandantit, i cili, fatkeqësisht, u vra nga dora e shqiptarit në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë.

Ky është momenti më i rëndë që ka ndodhur vendit në atë kohë, kur njerëz dhe kuadro ushtarake profesionale, në kohën e luftës, sikur ta vrasësh mjekun e vetëm në kohë lufte.

Dridhjet, bllokadat dhe pengesat për konstituimin e organeve shtetërore janë njëra ndër arsyet kryesore se, me funksionimin e shtetit ligjor, me prokurori, hetuesi dhe gjyqësi të pavarur, do të zbardhen shumë gjëra që populli deri më tani nuk i ka dëgjuar. LVV dhe LDK janë para një momenti historik të forcimit të shtetit përballë atyre që iu ka hyrë frika deri në palcë.

Shteti dhe populli, mbi të gjitha.

Burimi: Bota Sot