Mbi 3 mijë inspektime nga Inspektorati i Tregut dhe rreth 600 mijë

0%

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se në gjashtë muajt e parë të vitit 2026 ka realizuar mbi 3 mijë inspektime në kuadër të mbikëqyrjes së tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve.

Sipas MINTI-t, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka zhvilluar mbi 3 mijë inspektime në fusha të ndryshme, përfshirë tregun e derivateve të naftës, sigurinë e përgjithshme të produkteve, mbikëqyrjen e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit. Po ashtu, janë realizuar mbi 250 inspektime për verifikimin e përmbushjes së kushteve minimale teknike nga operatorët ekonomikë.

Në një komunikatë për media më , MINT theksoi se gjatë kësaj periudhe, sipas ministrisë, janë adresuar edhe mbi 600 ankesa të konsumatorëve. MINTI ka bërë të ditur se IQMT ka zhvilluar aksione të përbashkëta me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Rritja e inspektimeve është shoqëruar edhe me rritje të gjobave të shqiptuara. Sipas MINTI-t, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shqiptimi i gjobave është rritur për 33.33%. “Gjatë pjesës së parë të vitit 2026 janë shqiptuar afërsisht 600 mijë euro gjoba për shkelje të ndryshme të evidentuara gjatë inspektimeve”- thuhet në komunikatën e ministrisë.

Ndër shkeljet e evidentuara janë mospërputhja e çmimeve raft–arkë, tregtimi i produkteve pa deklaracion, ushtrimi i veprimtarisë pa regjistrim në ARBK, përdorimi i mjeteve matëse me afat të skaduar të vlefshmërisë dhe mosrespektimi i afateve të përcaktuara në procesverbalet e inspektimit.

Gjoba janë shqiptuar edhe për tregtimin e produkteve me afat të skaduar dhe vendosjen në treg të produkteve që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi. MINTI ka bërë të ditur se inspektorët kanë zhvilluar aksione të veçanta në fusha që prekin drejtpërdrejt konsumatorët.

Në mesin e çështjeve të trajtuara kanë qenë çmimet e derivateve të naftës, njehsorët elektrikë, kriptovalutat, qendrat e masazhit dhe lokalet e natës. Inspektimet kanë përfshirë edhe produktet e qumështit, shitjen e cigareve elektronike në afërsi të shkollave fillore dhe parkingjet private të paregjistruara në ARBK.

Sipas MINTI-t, në pjesën e parë të vitit ka përfunduar edhe faza e parë e transferimit të inspektorëve lokalë të tregut në Inspektoratin Qendror. “Ky proces ka krijuar kapacitete më të mëdha për mbikëqyrjen e tregut në nivel vendi, ndërsa deri në fund të vitit 2026 synohet që numri i Inspektorëve të Tregut të arrijë në 100”- thuhet në komunikatë.

Në kuadër të rritjes së transparencës, MINTI ka bërë të ditur se ka lansuar edhe një platformë në Viber për adresimin e ankesave të konsumatorëve. Ndërkohë, është funksionalizuar edhe Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Sipas ministrisë, deri në korrik janë mbajtur katër takime ku janë trajtuar çështjet dhe problemet me të cilat përballen konsumatorët.

Burimi: Kallxo