Një 70-vjeçar në Tiranë është mashtruar me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe ka humbur 100 mijë euro. Sipas Policisë së Tiranës, dy persona të arrestuar dhe një tjetër i shpallur në kërkim dyshohet se i janë prezantuar 70-vjeçarit, përmes mesazheve, si persona të njohur të tij.
Viktima, i cili ushtronte aktivitetin e këmbimit të valutave, është bindur t’ua jepte shumën prej 100 mijë eurosh , me pretendimin se paratë do t’i ktheheshin pas disa orësh. Mirëpo, pasi shuma nuk iu kthye në kohën e premtuar, 70-vjeçari ka njoftuar Policinë, e cila ka nisur hetimet.
Si rezultat i operacionit të koduar “Shuma”, policia ka arrestuar dy persona, 31 dhe 23 vjeç, ndërsa një 31-vjeçar tjetër është shpallur në kërkim. Hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe kapjen e personit që ka shkuar te subjekti i 70-vjeçarit dhe ka marrë paratë, si dhe për të zbardhur nëse në skemë janë përfshirë edhe persona të tjerë.
Policia ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj mashtrimeve të kryera edhe përmes përmbajtjeve të krijuara me inteligjencë artificiale. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
