Një mace nga Wisconsin i SHBA-së ka hyrë në historinë e Guinness World Records falë një veçorie jashtëzakonisht të rrallë: ajo ka plot 29 gishta në putrat e saj. Erebus Anomaly, një mace e racës Maine Coon në pronësi të Kendra Vandenbloomer dhe Hunter Nett, është shpallur zyrtarisht rekordmene për numrin më të madh të gishtërinjve te një mace.
Macet shtëpiake zakonisht kanë 18 gishta, por Erebus ka 29 – plot 11 më shumë se normalja, transmeton Telegrafi. Veçoria quhet polidaktili, një gjendje gjenetike që bën që macet të lindin me gishta shtesë. Ajo është relativisht e zakonshme te Maine Coon, por numri i Erebus është më i larti i dokumentuar ndonjëherë.
Rekordi i mëparshëm ishte 28 gishta, i vendosur nga një mace kanadeze e quajtur Jake në vitin 2002. Më herët këtë vit, një kotele nga Michigan me emrin Toby e kishte barazuar atë rekord.
Pronarët e Erebus, të cilët drejtojnë biznesin e mbarështimit Blue Northern Maine Coons, thanë se që në momentin kur macja lindi, dyshuan se mund të kishin në duar një kafshë rekordmene. 29 gishta – 11 më shumë se një mace normale. Erebus Anomaly tashmë është zyrtarisht macja me më shumë gishta në botë.
