Një llogari zyrtare iraniane në rrjetin social X i është kundërpërgjigjur presidentit amerikan Donald Trump, pasi ky i fundit publikoi një hartë ku Ngushtica e Hormuzit paraqitej si “territor i ri i SHBA-së”.
Në përgjigje, llogaria zyrtare “Iran in Hyderabad” publikoi një hartë të Shteteve të Bashkuara, ku Kalifornia ishte e theksuar me ngjyrë të kaltër dhe shoqërohej me mbishkrimin: “Territori i ri i Republikës Islamike të Iranit”. Trump kishte publikuar më 18 gusht një imazh të Ngushticës së Hormuzit, të cilin e paraqiste si “territor të ri të SHBA-së”.
Postimi u ripublikua më pas edhe nga llogaria zyrtare e Shtëpisë së Bardhë në X. Edhe zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, reagoi ndaj pretendimeve të Trumpit, duke thënë se “iluzioni” i tij për Ngushticën e Hormuzit së shpejti do të korrigjohej. Zgjedhja e Kalifornisë nuk duket e rastësishme.
Zona e Los Angelesit është shtëpia e një prej komuniteteve më të mëdha të iranianëve dhe iraniano-amerikanëve jashtë Iranit. Sipas të dhënave të cituara nga UCLA, rreth 141 mijë iraniano-amerikanë jetojnë në Qarkun e Los Angelesit.
Shkëmbimi i hartave vjen në një periudhë tensionesh të larta mes Washingtonit dhe Teheranit, me Ngushticën e Hormuzit në qendër të përplasjes politike dhe strategjike mes dy vendeve. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
