Irani kërcënon me masa të rrepta miqtë e Washingtonit nëse SHBA ia

0%

Irani ka paralajmëruar të hënën se do të përgjigjet ashpër ndaj zgjerimit të sanksioneve amerikane, teksa kërcënoi me masa kundër vendeve që Teherani i konsideron bashkëpunëtore të Uashingtonit. “Çdo përshkallëzim i kësaj situate, pa dyshim, do të sjellë pasoja. Duart tona nuk janë të lidhura”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, raporton AP.

Paralajmërimi vjen pas disa javësh ngërçi, ndërsa Shtetet e Bashkuara, sic raporton kjo agjenci, ende nuk kanë arritur ta dobësojnë kontrollin e Iranit mbi transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit.

Sulmet dhe kërcënimet iraniane kanë penguar ndjeshëm qarkullimin në këtë rrugë strategjike, përmes së cilës, para fillimit të luftës gati gjashtë muaj më parë, kalonte një e pesta e naftës së tregtuar në botë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Teherani ka ruajtur kushtet për rihapjen e ngushticës, duke kërkuar heqjen e bllokadës detare amerikane, tërheqjen e forcave të SHBA-së nga rajoni dhe dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara gjatë luftës. Irani ka zhvilluar gjithashtu bisedime të ndara me Omanin për menaxhimin e përbashkët të kësaj rruge ujore, pavarësisht nëse arrihet një marrëveshje e re me Uashingtonin.

Sanksionet historikisht kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të produkteve bazë në Iran. Megjithatë, pas vitesh nën masa të tilla, ekonomia e vendit është përshtatur pjesërisht përmes partnerëve të rinj tregtarë dhe zhvillimit të industrive vendore. Në prag të njoftimit të pritshëm për masa të reja, monedha iraniane ra të hënën në nivelin më të ulët historik.

Riali zbriti në 2,02 milionë për një dollar amerikan në tregun jozyrtar, ndërsa kursi i Bankës Qendrore ishte rreth 1,5 milion. Monedha e Republikës Islamike ndodhej nën “presion” edhe para sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, mes inflacionit dyshifror dhe rritjes negative ekonomike. Gati gjashtë muaj luftë e kanë rënduar më tej situatën.

Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump nuk ka arritur të sigurojë lëshime nga Teherani, vend ky që vazhdon të mbajë kontroll të fortë mbi lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.

Burimi: Bota Sot