Ethet e Nilit mbërrijnë në Shqipëri, konfirmohet rasti i parë në Korçë

0%

Shqipëria ka konfirmuar rastin e parë për vitin 2026 me infeksion nga Virusi i Nilit Perëndimor, i njohur si Ethet e Nilit. Rasti është evidentuar gjatë dhjetëditëshit të dytë të muajit gusht në qarkun e Korçës, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik ka nisur hetimin epidemiologjik dhe entomologjik për të përcaktuar praninë dhe përhapjen e mushkonjës që transmeton virusin.

Sipas të dhënave zyrtare, që nga fillimi i janarit 2026 janë testuar 30 mostra të rasteve të dyshuara për infeksion nga Virusi i Nilit Perëndimor, të gjitha me rezultat negativ. Rasti i evidentuar në Korçë është i pari i konfirmuar në Shqipëri për këtë vit. Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.

Mushkonja infektohet zakonisht pasi ushqehet me zogj ose kuaj të infektuar dhe më pas mund ta transmetojë virusin te njerëzit përmes pickimit. Simptomat e infeksionit mund të nisin me temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të përziera dhe të vjella. Në raste më të rënda, virusi mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë encefalit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pas konfirmimit të rastit, ISHP po vijon survejancën epidemiologjike në njerëz, hetimin e rastit dhe monitorimin entomologjik në qarkun e Korçës, me qëllim evidentimin e pranisë së mushkonjave që mund të transmetojnë virusin. Infeksioni nga Virusi i Nilit Perëndimor nuk është i panjohur në Shqipëri.

Në vitin 2024 u raportuan 107 raste të konfirmuara dhe 50 raste të mundshme, ndërsa në vitin 2025 u evidentuan dy raste të konfirmuara./RTSH

Burimi: Telegrafi