Tubimit të sotëm të deputetëve të PDK-së dhe Aleancës para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës iu bashkua edhe një grup studentësh të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të cilët kërkuan zhbllokimin e institucioneve dhe fillimin e punës së Kuvendit.
Tubimit të sotëm të PDK-së para ndërtesës së Qeverisë iu bashkua edhe grupi i studentëve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Granit Spahiu nga grupi i studentëve tha se bllokimi i institucioneve është një mesazh shumë i keq për një gjeneratë të tillë. Spahiu: Studentët duan institucione që punojnë “Ne na thoni çdo ditë: mësoni, punoni dhe ndërtoni të ardhmen këtu.
Por si ta ndërtojmë të ardhmen këtu, kur ata që duhet të ndërtojnë të tashmen nuk po funksionojnë? Ne nuk duam privilegje. Duam një universitet që na ecë përpara, duam mundësi për të rinjtë, dhe duam institucione që punojnë. Duam edhe një shtet që nuk na detyron të largohemi, por na mundëson që të krijojmë të ardhmen këtu.
Dhe ka diçka tjetër që dua ta them: Mos e nënvlerësoni asnjëherë studentin. Sepse shumë herë në historinë e këtij vendi, kur të tjerët kanë pritur, studentët gjithmonë kanë dalë. Kur të tjerët kanë heshtur, vetëm studentët kanë folur. Dhe kur është dashur ndryshim, studentët gjithmonë kanë qenë aty.
Prandaj sot po kërkojmë qartësisht, po kërkojmë me përgjegjësi të lartë, po kërkojmë që Kuvendi të konstituohet dhe të fillohet puna. Por nëse dikush mendon se studentët do të qëndrojnë pafundësisht të mbyllur në bankat e tyre dhe të shohin se si shteti i tyre mbetet peng, ata nuk e kanë kuptuar studentin e Kosovës.
Sepse ne nuk kemi ardhur këtu vetëm për të kërkuar të ardhme, kemi ardhur këtu për të kërkuar të na lejohet ta ndërtojmë atë. Dhe nëse duhet të ngrihemi përsëri, do të ngrihemi. Jo kundër Kosovës, por gjithmonë për Kosovën”, tha Spahiu. Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda tha se kjo Qeveri ka ofruar për studentët vetëm largimin nga Kosova.
Gruda: Qeveri ka ofruar për studentët vetëm largimin nga Kosova “Këta studentë që kanë ardhur sot duhet të kishin qenë fëmijë kur Albin Kurti ka fituar zgjedhjet në vitin 2020. Duhet të kishin qenë në gjimnaz ose në shkollë fillore. Sot janë studentë edhe shohin të vazhdojë e njëjta krizë.
Dikush që në vitin 2020 kur ka fituar Albin Kurti ka qenë nxënës, sot mund të jetë i diplomuar në universitet edhe pret të gjejë një vend pune. Në fakt e vetmja gjë që ju ka ofruar mbasi ka diplomuar është largimi prej Kosovës. 300 mijë njerëz e kanë lëshuar Kosovën për 5 vjet. Ky nuk është migrim, kjo nuk është lëvizje e njerëzve, kjo është zhvendosje masive e njerëzve prej Kosovës.
Dhe kjo ndodh sepse përveç qeverisjes, sot është përmbysur rendi kushtetues. Si mund të presë një i ri që ka ardhur sot me neve këtu që të bëhet diçka për të, për familjen e tij, për prindërit e tij, për një vend pune që kërkon pas diplomimit kur organi kryesor i vendit mbahet i bllokuar”, tha Gruda. Ndërsa, deputetja e Aleancës, Albana Byqtyqi ka ftuar Kurtin të formojë institucionet.
Bytyçi: Nuk do të ndalemi derisa institucionet të formohen “Sot jemi këtu pranë qeverisë, para qeverisë dhe abuzimi me shtetin po vazhdon, bllokada me shtetin po vazhdon. Ajo çka është e rëndësishme që ne jemi betuar si deputetë për ta mbrojtur kushtetutën dhe gjithmonë do të jemi në mbrojtje të kushtetutës.
Andaj nuk do të ndalemi derisa institucionet të formohen, qeveria të formohet dhe të vazhdojmë punën e të mos bllokohemi. Andaj ftoj edhe një herë zotin Kurti që të vjen në Kuvend, të formojë institucionet dhe të vazhdojmë punën tutje”, tha ajo.
Përndryshe, deputetët e PDK-së dhe Aleancës tash e disa javë po qëndrojnë për disa orë para qeverisë në shenjë proteste, duke kërkuar thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive. Ata po konsiderojnë se kabineti qeveritarë ka uzurpuar ndërtesën e Qeverisë, pasi ata tanimë janë betuar si deputetë. Ndërkohë, akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje se po shkel Kushtetën dhe rregulloren e Kuvendit.
