Armenia pritet të nisë së shpejti procesin zyrtar të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, deklaroi kryeministri armen Nikol Pashinyan.
Duke prezantuar programin e qeverisë për periudhën 2026–2031 në parlament, Pashinyan tha se vendi duhet fillimisht të paraqesë një kërkesë zyrtare për anëtarësim në BE, përpara se të vendoset për hapat e mëtejshëm dhe mundësinë e mbajtjes së një referendumi. “Armenia duhet së pari të paraqesë një kërkesë zyrtare për anëtarësim në BE.
Ky është një proces i gjerë dhe ne do ta fillojmë atë në të ardhmen e afërt”, deklaroi ai. Parlamenti armen miratoi më një ligj që hapi rrugën për procesin e integrimit të vendit në BE. Orientimi evropian i Jerevanit ka shkaktuar shqetësim në Moskë, pasi Armenia është anëtare e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik (EAEU), ku bën pjesë edhe Rusia.
Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se anëtarësimi i Armenisë në BE do të nënkuptonte ndërprerjen e bashkëpunimit me EAEU-në dhe humbjen e përfitimeve që lidhen me këtë anëtarësi.
Në maj, liderët e vendeve anëtare të EAEU-së, përfshirë Rusinë, Bjellorusinë, Kazakistanin dhe Kirgistanin, mbështetën idenë që Armenia të zhvillojë një referendum kombëtar për të vendosur nëse do të afrohet me BE-në apo do të qëndrojë në EAEU.
Ndërkohë, zëvendësministri i Jashtëm rus Mikhail Galuzin ka deklaruar se Armenia duhet të vendosë deri në dhjetor 2026 nëse do të mbajë një referendum për këtë çështje.
