Dy persona, që dyshohet se janë shqiptarë, janë gjetur të vdekur në lagjen Nea Zmirni të Athinës, ndërsa hetimet paraprake tregojnë se ngjarja mund të ketë ndodhur për motive xhelozie. Sipas raportimeve të Top Channel, viktima 45-vjeçare kishte dokumente greke, por kishte lindur në Shqipëri.
Dyshohet se çifti është përfshirë fillimisht në një konflikt jashtë hyrjes së një pallati, ku më pas burri ka qëlluar me armë ndaj gruas, duke e lënë të vdekur në vend. Pak më vonë, dyshohet se ai i ka dhënë fund edhe jetës së tij. Arma është gjetur në vendin e ngjarjes, ndërsa ekspertiza paraprake ka ngritur dyshimet për vrasje të ndjekur nga vetëvrasja.
Ngjarja është regjistruar edhe nga kamerat e sigurisë së ndërtesës, të cilat pritet të ndihmojnë hetuesit në zbardhjen e plotë të rastit. Sipas të njëjtave burime, në zonë banonte vajza e 45-vjeçares, ndërsa deri tani nuk rezulton që viktimat të kenë qenë të martuar. Autoritetet po hetojnë natyrën e marrëdhënies mes tyre dhe motivet e ngjarjes. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!