Greqia po përballet me një valë të re dhe të zgjatur të nxehti, me temperatura që kanë kaluar 40 gradë Celsius dhe në zona të caktuara pritet të arrijnë në 41-42 gradë. E diela konsiderohet një nga ditët më të vështira të kësaj vale, ndërsa masat e ajrit që kanë mbërritur mbi territorin grek janë 6 deri në 8 gradë më të ngrohta se vlerat normale për këtë periudhë të vitit.
Në Thesali dhe Maqedoninë Qendrore temperaturat pritet të arrijnë 39-40 gradë Celsius. Në Athinë termometri do të shënojë rreth 38 gradë, ndërsa në Selanik temperaturat do të luhaten mes 37 dhe 38 gradëve. Një ditë më parë, të shtunën, temperatura më e lartë u regjistrua në Trikala, ku termometri arriti në 40,7 gradë Celsius.
Vlera mbi 40 gradë u regjistruan gjithashtu në zona të tjera të Thesalisë dhe Greqisë Qendrore. Vala e të nxehtit pritet të vazhdojë të paktën deri në mesin e javës së ardhshme, megjithëse nga e hëna parashikohet një ulje e lehtë e temperaturave në veri dhe lindje të vendit, si pasojë e forcimit të erërave veriore. Situata do të mbetet më e vështirë në Greqinë Perëndimore dhe në Peloponez.
Në këto zona, e hëna dhe e marta mund të rezultojnë ditët më të nxehta, me temperatura që do t’i afrohen sërish 40 gradëve. Një rënie më e ndjeshme e temperaturave parashikohet nga e enjtja, kur erërat veriore në Egje mund të arrijnë deri në 7 ballë. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, veçanërisht të moshuarve, fëmijëve dhe personave me sëmundje kronike.
Ata këshillohen të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të mesditës dhe të konsumojnë sa më shumë ujë. Bashkitë kanë hapur gjithashtu salla me ajër të kondicionuar për personat në nevojë. Megjithatë, lehtësimi mund të jetë i përkohshëm. Meteorologët nuk përjashtojnë një tjetër rritje të temperaturave gjatë fundjavës së ardhshme.
