Sindikata e Policisë së Kosovës u ka shprehur ngushëllime familjes, të afërmëve dhe kolegëve të zyrtarit policor Altin Kryeziu, i cili ka vdekur pasi ishte aksidentuar para disa ditësh në Malishevë. Përmes një telegrami ngushëllimi, Sindikata ka ndarë dhimbjen me familjen e të ndjerit dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
“Me rastin e ndarjes nga jeta të punonjësit policor Altin Kryeziu, Sindikata e Policisë së Kosovës i shpreh familjes së të ndjerit, të afërmve, miqve, kolegëve dhe të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ngushëllimet më të sinqerta”- thuhet në reagim. Sindikata ka vlerësuar jetën dhe kontributin e Kryeziut në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushjen e detyrës zyrtare.
“Në këto çaste të dhimbjes së thellë, shprehim respektin tonë për jetën dhe kontributin e të ndjerit në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushjen e detyrës zyrtare. I paharruar qoftë kujtimi për të ndjerin Altin Kryeziu”- thuhet më tej në telegram. Altin Kryeziu kishte mbetur i lënduar rëndë pasi ishte goditur me veturë me në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë.
Kryeziu i cili ishte duke rregulluar trafikun është goditur nga një veturë, e cila ishte me shpejtësi të madhe. E njëjta sipas Policisë, kishte goditur edhe katër vetura të tjera dhe ka lënë të lënduar edhe pesë persona të tjerë. Në korrik të këtij viti, në Kallxo Përnime është transmetuar hulumtimi për vdekjen e zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Gjatë 3 viteve të fundit, 2 zyrtarë policorë kanë vdekur gjatë kryerjes së detyrës, 55 kanë vdekur gjatë detyrës, ndërsa janë lënduar 390 zyrtarë policorë në atë që është kategorizuar si lëndime në detyrë. Gjatë emisionit u trajtua edhe mënyra e këtyre aksidenteve se a ishin të rastit apo Policia e Kosovës ka probleme me sigurinë e pjesëtarëve të saj që ndalin makinat në rrugët e vendit.
Sipas Sindikatës së Policisë dhe ekspertëve të fushës, Policia e Kosovës vazhdon të përballet me mungesë të sigurimit shëndetësor për zyrtarët e saj, e po ashtu edhe me mungesa të tjera. Halit Shaljani, tani është avokat ndërsa në punën e tij paraprake kishte punuar shef i ndërrimit në njërin prej stacioneve të mëdha të kryeqytetit.
Ai konstaton se ndalja e makinave në rrugë pa pajisjet e duhura nuk është sipas standardeve dhe zyrtarët policorë e vënë veten në rrezik në rrugët ku zhvillohet shpejtësi e lartë si autostrada e magjistrale.
