Një person është plagosur me armë zjarri dhe është sulmuar me kondak të armës në rrugën regjionale Sarosh-Rahovec, gjatë orëve të para të së shtunës. Sipas raportit 24-orësh të Policisë, viktima ishte duke udhëtuar me veturë rreth orës , kur një automjet i kishte bërë shenjë me drita.
Pasi viktima ishte ndalur, një person dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, duke e plagosur në pjesën e pasme të kokës. Pas të shtënave, i dyshuari ishte afruar te viktima dhe e kishte goditur disa herë me kondak të armës së shkurtër, thuhet nga Policia.
Gjatë përleshjes, viktima kishte arritur t’ia merrte armën të dyshuarit dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes për të kërkuar ndihmë mjekësore. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë sekuestruar një pistoletë pa municion. “Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa për rastin është njoftuar prokurori.
Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente”, thuhet në raportin 24-orësh.
