Futbollistët e PSG sonte në orën do të jenë mysafirë të Rennes-it në ndeshjen hapëse të Ligue 1 franceze. PSG-ja do të mbrojë titullin kampion, por sezonin nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë, pasi javën e kaluar u mposht nga Lens me rezultatin 1:0 në ndeshjen e Superkupës së Francës. Para fillimit të kampionatit të ri, PSG-ja ka një objektiv të qartë – të mbrojë titullin.
“Duhet të përshtatemi me rrethanat dhe me kalendarin. Do të doja që gjërat të ishin ndryshe, por nuk janë. Këto janë gjëra që nuk mund t’i kontrollojmë. Ne e shohim të gjithë këtë si një sfidë dhe do të përpiqemi të nxjerrim maksimumin”, tha trajneri i PSG-së, Luis Enrique.
Gazetarët e pyetën para ndeshjes se çfarë duhet të ndryshojë te Paris Saint-Germaini, ndërsa Enrique u përgjigj me shaka: “Përveç trajnerit, mund të ndryshojmë gjithçka tjetër! Nëse trajneri është vërtet i keq, nuk ka zgjidhje, por gjithçka tjetër mund ta ndryshojmë. Ne përpiqemi të përparojmë në çdo stërvitje, në çdo aksion, si në aspektin ofensiv, ashtu edhe në atë defensiv.
Kemi një profil ndryshe dhe kjo i motivon kundërshtarët tanë, sepse ne fitojmë shumicën e trofeve. Duke qenë se e dimë se sa e vështirë është t’i fitosh trofetë, është e rëndësishme të dimë se si të përparojmë, të jemi të zgjuar në atë që bëjmë dhe në mënyrën se si reagojmë ndaj provokimeve. Duhet të dimë si të përballemi me këtë, edhe pse nuk është e lehtë.
Është e vështirë të fitosh vazhdimisht, por kjo është një sfidë e madhe për ne. Mendoj se ende mund të përmirësohemi”. Enrique u pyet gjithashtu se si e sheh evolucionin aktual të futbollit. “Ne jemi evolucioni i futbollit! Ne synojmë të përfitojmë nga ajo që dëshirojmë, të luajmë mirë pavarësisht kundërshtarit. Nëse ka hapësirë, do të përpiqemi ta shfrytëzojmë.
Nëse nuk ka hapësirë, gjë që ndodh më shpesh, përpiqemi të luajmë mirë në atë fazë të lojës. Së bashku me stafin, drejtorin sportiv dhe klubin, jemi të hapur ndaj informacioneve, qoftë përmes statistikave apo, për shembull, inteligjencës artificiale. Përdorim gjithçka që mund të na ndihmojë të përparojmë. Është emocionuese, sepse ka shumë mundësi.
Sfida është të identifikojmë gjërat që janë vërtet të rëndësishme. Jemi gjithmonë të hapur, shohim se çfarë bëjnë ekipet e tjera dhe çfarë mund të përmirësojmë ne. Duhet të kesh guxim për të ndryshuar gjërat në të gjitha fushat”, përfundoi Enrique.
