Kristjan Asllani është para një dileme të madhe për karrierën e tij. Nga një anë, mesfushori kërkon një klub ku të luajë për objektiva ambiciozë, ndërsa në anën tjetër, është mundësia për të qëndruar në Serinë A.
Sipas “sportal.it”, Asllani po shtyn klubin e Interit që t’i gjejë një sistemim jashtë Italisë, pasi në klubet larg saj mund të ketë alternativa që luftojnë për pjesëmarrjen në Europë apo trofe, siç ndodhi në rastin e Beshiktashit. Por nga ana tjetër, ai ka qenë në stadium në ”San Siro” për ndeshjen e parë të zikaltërve ndaj Monzës.
Mesfushori ishte spektator i thjeshtë në tribunë në këtë sfidë dhe bëhet e ditur se ka konstatuar “potencialin” e klubit që ka shfaqur interes për të siguruar shërbimet e tij në këtë edicion. Monza kërkon një lojtar me tiparet e Asllanit dhe ka shfaqur interes konkret për mesfushorin.
Ky i fundit mendohej se nuk preferonte një ekip që lufton për mbijetesën në Serinë A, por duket se po ndryshon mendje sa më shumë afron fundi i merkatos së verës, ku duhet të gjejë sa më shpejt një sistemim për të ardhmen e tij.
