Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me pamjet e publikuara në media, ku dyshohet se një vajzë 12 vjeçare ka paësuar dhunë nga një vajzë 18 vjeçare, në Mitrovicë. KOMF ka thënë se dhuna ndaj fëmijëve nuk mund të trajtohet si një incident apo rasti i izoluar.
“Poashtu, nuk kemi të bëjmë vetëm me një akt dhune ndaj një fëmije, por edhe me një shfaqje të hapur të dhunës, e cila është filmuar. Ekspozimi i tillë mund të rëndojë edhe më tej gjendjen e viktimës, duke rritur rrezikun e stigmatizimit dhe traumës” – thuhet në reagim.
KOMF ka bërë thirrje për aktivizimin e menjëhershëm të mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve në nivelin lokal; ndërmarrjen e masave të menjëhershme nga institucionet e rendit dhe drejtësisë ndaj personave të përfshirë; Fuqizimin e shërbimeve dhe programeve parandaluese ndaj dhunës “KOMF ka theksuar në vazhdimësi se sistemi i mbrojtjes së fëmijëve ka mangësi të mëdha në parandalimin, identifikimin e hershëm dhe mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna.
Përmasat që ka marrë kjo dukuri kërkojnë një fokus shumë më të madh në parandalim dhe edukim, përmes fuqizimit të prindërve për rritjen dhe disiplinimin e fëmijëve pa dhunë, edukimit në shkolla dhe ndërhyrjes së hershme ndaj sjelljeve të rrezikshme, me qëllim uljen e dhunës dhe uljen e ciklit të saj nga një gjeneratë në tjetrën” – thuhet në reagimin e KOMF-it.
