Harry Kane nuk është i shqetësuar për situatën e tij kontraktuale te Bayern Munich, teksa përgatitet për një tjetër sezon me kampionët e Gjermanisë. Kapiteni i Anglisë foli pas fitores 2-1 ndaj Borussia Dortmundit në Superkupën e Gjermanisë, duke shtuar një tjetër trofe në koleksionin e tij që sa vjen e rritet në futbollin gjerman.
Gjatë aventurës së tij në Mynih, Kane ka fituar Bundesligën, Kupën e Gjermanisë dhe Superkupën, ndërsa ka triumfuar edhe në garën për Këpucën e Artë. Me Anglinë, ai shënoi gjashtë gola në Kupën e Botës, ku “Tre Luanët” e mbyllën turneun në vendin e tretë.
I pyetur për mundësitë e tij për të fituar Topin e Artë, Kane e minimizoi rëndësinë e çmimit individual, duke theksuar se objektivi i tij kryesor është të ndihmojë Bayernin të fitojë sa më shumë trofe. “Ka nisur një sezon i ri dhe është bukur ta fillosh duke fituar një trofe si Superkupa.
Është e vërtetë që sezoni i kaluar ishte më i miri i karrierës sime, por tani jam i fokusuar te sezoni i ri”, deklaroi Kane. “Duhet të luftojmë sërish për të gjithë titujt, përfshirë Ligën e Kampionëve. Superkupa është trofeu i parë nga katër për të cilët do të luftojmë dhe shpresoj që të vazhdojmë në këtë rrugë”.
Kane luajti gjatë gjithë fitores 2-1 ndaj Dortmundit, por këtë herë nuk arriti të gjente rrjetën. Megjithatë, statistikat e tij që prej transferimit te Bayern janë të jashtëzakonshme: 146 gola në 148 paraqitje.
Harry Kane e thotë hapur: Nuk kam më aq dëshirë për t’u kthyer në Ligën Premier Kontrata e tij pritet të jetë në qendër të diskutimeve gjatë ditëve në vijim, por sulmuesi 33-vjeçar mbetet i qetë sa i përket negociatave. “Do të flasim këtë javë dhe javën e ardhshme. Do të kemi një diskutim të hapur dhe nuk jemi me nxitim apo në panik”, u shpreh ai.
“Fokusi im i plotë është te Bayern Munich dhe sezoni i ri. Negociatat do të zhvillohen në prapaskenë”, përfundoi Kane.
