Unë ,sapo kisha vajtur në atë kolektiv. Ishim gjithsej 10-mësues dhe qeshë i vetmi jabanxhi. Ngaqë partia e pushteti popullor,kishin zbuluar që unë qeshë me “ftomë në biografi” më solllën këtu,gati 70-km larg shtëpisë. Ky qe fshati i fundit dhe,tej këtij,po të bëje qoftë dhe dy çapa,shkelje tek një fshat që i përkiste rrethit të Tepelenës. Pra nga Fieri në Tepelenë.
Epo do ta hedhësh “vallen” sipas muzikës së kohës dhe jo vetëm u paraqita në punë,por mundohesha të punoja me përkushtim siç kisha bërë ato pesë vjet. Kolegët qenë njerëz të mirë,hiq drejtorin që kishte”porosi të veçantë” për mua. E mbaj mend që ka qenë ditë e shtunë në shtator të vitit 1964.
E shtuna më kujtohet,se kisha një javë pa vajtur në shtëpi dhe,sa të mbaroja mësimin,t’u hipja këmbëve (duhet të bëja gati 5-km në rrugë fshati) për të zbritur në xhaden kryesore për makinë.
Makinat vinin nga Tepelena,të ngarkuara me qymyrin e Memaliajt dhe do ishe me fat,në gjeje vend,pas orës 13,00,kur dilja unë, pas mësimit. * Nxënësit janë rreshtuar dhe,tek po bëheshim gati të hynim nëpër klasa,FATUSHJA,kolegia jonë,tha:- Po vjen “qeni i LEKOS”. Këtë sikur ma tha në intimitet.
Unë hodha sytë nga rruga dhe i them:-Moj FATUSHE të mbetët humori në buzë,por nuk shoh ndonjë qen gjëkundi, Ajo:-Ai po vjen,por ti do ta njohësh,kur të kafshojë!!! Vërtet që erdhi,por jo”qeni i LEKOS”,por qenkësh doravet,inspektori. Drejtori e priti me duar në qafë dhe urdhëroi:- Mësimi do të fillojë,kur të thotë inspektori.
Ndërsa po prisnim për të filluar mësmin, drejtori më thirri, më njohu me inspektorin. Ky tërë kapadaillëk, më tha:-Orën e parë do të vij tek ti. -Mirëse të vish, ( për pak desh shtova:-Mirëse të vish,o “qeni i Lekos”).
Hyri dhe tek u ul në bankën e fundit me drejtorin, po vëzhgonte punën time.Qëlloi të kisha një poezi të DRITËROIT për Enver Hoxhën,ku spikaste një varg:”… se nëna ime i dha bukë me dhall…”.Natyrshëm,hyra në lëkurën e poetit,kur e recitova dhe nxënësit u bënë sy e veshë. Mbaroi ora dhe,ashtu kalimthi,m’u duk sikur mbeti i kënaqur.
Kur mbaroi dhe ora e fundit,unë mezi prisja të nisesha për në shtëpi,por i kisha bërë hesapet,pa e pyetur hanxhinë. Mësuesi “dezhurn”,kur u futëm në sallën e personelit,tha: -Me urdhër të inspektorit, në orën dy pasdite, do bëhet mbledhja e këshilit pedagogjik. Sa tha këto fjalë,kur dha ballë inspektori dhe drejtori.
Unë,ngaqë isha i vetmi jabanxhi,i them: -Shoku inspektor,unë kam një javë pa vajtur në shtëpi dhe jam dakord me të gjitha ato që do thuhen në adresë time.
Por ky (ka thënë me vete: ky me”ftomë” do më jap mend mua) e kish marrë “lincencën” jo se kish qenë ndonjë mësues i mirë, por qe familje dëshmori dhe unë(po dihet:me ftomë nëbiografi),dashka dhe favore.Dhe menjëherë,ma vuri kufirin tek thana. -Me demek,paske një javë dhe nuk begenis të vish në mbledhje. More, (tani i fryjti bulçitë mirë), e njeh vetën kush je? Apo jo?
Ti jo vetëm do rrishë në mbledhje,por do shkosh në shtëpi kur të dua unë apo drejtori. Pashë që drejtorit i qeshi buza. Hodha sytë nga FATUSHJA që sikur më thoshte:-Hë,e njohe tani”qenin e LEKOS”?
Sa pashë që shijuan perversitetin për të treguar fuqinë e tyre,harruan vetëm një gjë të vogël:- Unë vërtet qeshë me”ftomë në biografi”,por nga natyra jam shumë impulsiv dhe,për t’u nxjerrë pak atë”kënaqësi përverse,shpërtheva:- Kush do më pengojë mua për të shkuar në shtëpi,ti (iu lëshova inspektorit) që me je si një goriilë.Po ç’ne goriilë?Ty,po të pa gorilla në rrugë,do të kapë me grushta se i shpërfytyron pamjen dhe mos fol,se e ngrita këtë karriken dhe ta theva kokën.
Ngrinë që të dy”të fuqishmit” dhe,për ta shtendosur gjendjen,hodha xhaketën mbi sup dhe i mbaj mend mirë fjalët e fundit që thashë në atë shtator 1964:- Kolegë qofshi mirë dhe.sa për ju të dy:-Mos ua pafsha bojën! Ika dhe nuk u ktheva më. * Por kjo histori nuk mbaron me kaq. Unë,pa kësaj përplasjeje me”qenin e LEKOS”. ika ushtar dhe bëra tri vjet.
U lirova në dhjetor 1967 dhe më 1968 qeshë emëruar në,fshatin tim të lindjes,në PETOVË të FIERIT. Pikërisht,në këtë vit”qeni i LEKOS”(kështu po e quaj tani), qe kuadër me përgjegjësi të lartë (mbulonte sektorin ideologjik),kishte po atë pamje prej goriilleje,por tani flokët si gjemba iriqi i kish lyer me brilantinë.
Me”pompë” erdhi në PETOVË dhe,ngaqë diskutohej për problem të mprehtë,uurdhëruan që të merrnim pjesë të gjitë mësuesët. E pashë tek pozonte dhe prapë m’u kujtua FATUSHJA:-Po vjen “qeni i LEKOS”!!! Sidoqoftë ,u bënë shumë debate dhe,më së fundi, shkoi ujë në”mullirin e partisë”. Një nga ata që e”vaditi”qeshë dhe unë.
Mbaroi mbledhja dhe,tek po dilnim,ai më thirri: – Mos je ti i “asaj kohe”? -Unë jam. -Qenke bërë djalë i mirë! -Unë i mirë kam qenë… * Dhe “qeni i LEKOS” bëri vetëm përpjet. Ai nuk lihte,por kafshonte.Kur them kështu,më kujtohet një thënie e MERILIN MONROS që ka thënë:”
Nuk kafshojnë qentë,por njerëzit”, Saj këtij”kafshimi”,ai kaloi në Ministri të Mbrendshme dhe qe nga “solistët” e golgotës kundër të ashtuquajtur puçistë nga Mehmet Shehu e më tutje. Bëri zullume të mëdha dhe,kur erdhi demokracia i vunë prangat. Aty nga viti 2015, e pashë në një nga rrugët e Tiranës. ishte i shpërfytyruar dhe nga buzët e trasha,i rridhnin jargët.
Duket e meritonte atë nofkën që i kishte vënë FATUSHJA:”qeni i LEKOS”!
