Uji mineral i Gushavcit në Deçan, i cili nga shumë vizitorë konsiderohet si ujë shërues, mbetet një prej destinacioneve të veçanta turistike të kësaj ane. Por, pavarësisht numrit të madh të vizitorëve, mungesa e infrastrukturës vazhdon t’ua vështirësojë qëndrimin.
Burimi i ujit mineral në afërsi të Manastirit të Deçanit është vetëm një prej potencialeve dhe destinacioneve turistike që ofron kjo komunë. Uji i këtij burimi, i njohur ndryshe si Gushavci i Deçanit, nga shumë vizitorë konsiderohet si ujë shërues, veçanërisht për problemet me lukthin, sëmundjet e lëkurës, eshtrave dhe problemet e fytit.
Mirëpo, infrastruktura e dobët po u krijon vështirësi jo të vogla vizitorëve që vijnë këtu. “Gushavci është një pikë turistike e cila frekuentohet nga njerëz nga shumë vende. Vijnë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, e sidomos diaspora e frekuenton shumë.
Njerëzit që nuk gjejnë shërim, sidomos nga sëmundjet e lëkurës, vijnë këtu dhe thonë se gjejnë shërim për një kohë të shkurtër. Mirëpo, për fat të keq, këtu po shihet se ka një tollovi të madhe dhe infrastruktura na mungon”, tha Bajram Dervishaj nga Deçani. “Arsyeja pse kam ardhur sot këtu me familje dhe shoqëri është mrekullia që na ka falur i madhi Zot.
Me shekuj njihet si vend shërues për shumë sëmundje, prandaj kam ardhur gjithmonë. Këtu ka ardhur edhe mamaja ime 80-vjeçare, prandaj edhe ne e vazhdojmë këtë traditë. Edhe pse kushtet nuk janë të mira, ne ndihemi shumë mirë dhe besojmë se na ndihmon”, tha Dedë Bala nga Gjakova.
Adem Lushaj, njohës i turizmit, thotë se viteve të fundit zhvillimi i këtij sektori, jetik për qytetarët e kësaj ane, ka marrë drejtimin e duhur. “Deçani, edhe pse ka pasur ngecje deri viteve të fundit, tash i është kthyer investimeve në infrastrukturë, të cilat do të na mundësojnë shfrytëzimin e këtyre resurseve tona.
Gryka e Deçanit paraqet një bosht të zhvillimit, ndërsa rruga e cila kalon nëpër të i lidh resurset e shumë bjeshkëve, duke bërë të mundur zhvillimin e turizmit veror dhe dimëror, apo siç themi ne, edhe të turizmit masiv, edhe atij alternativ”, tha Lushaj. Edhe banorët thonë se Deçani ka mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit.
“Deçani ka një potencial shumë të mirë turistik, duke filluar me qendrat e skijimit në bjeshkën e Blegut dhe atë të Carrabregut. Pra, Deçani ka vende dhe mundësi që turizmi të krijojë vende të reja pune, në mënyrë që të rinjtë të qëndrojnë në vendin tonë dhe të mos largohen e të emigrojnë”, tha Petrit Lushaj, banor.
Sidoqoftë, Komuna e Deçanit ka destinacione të panumërta turistike, të ndërlidhura edhe me elemente të trashëgimisë shpirtërore e materiale. Në veçanti, bjeshkët e pasura të kësaj ane, të cilat çdo ditë po vizitohen nga turistë të shumtë nga vendi dhe bota, mbeten një prej potencialeve kryesore për zhvillimin e turizmit.
Mirëpo, sipas zyrtarëve të kësaj komune, ndër sfidat kryesore vazhdojnë të jenë pengesat për asfaltimin e segmentit të parë të rrugës, nga Manastiri i Deçanit deri në kilometrin e gjashtë.
