Në fund të korrikut të vitit 1985, mundja e Kosovës shkëlqeu në Kampionatin Botëror për kadetë, të mbajtur në Clermont-Ferrand të Francës. Mustafa Syla, në kategorinë deri në 48 kilogramë, fitoi titullin e kampionit botëror dhe medaljen e artë. Veton Asllani, në kategorinë 42 kilogramë, u stolis me medaljen e argjendtë. Sefedin Krasniqi fitoi medaljen e bronztë.
Sipas gazetës “Rilindja”, të datës 1 gusht të vitit 1985, në Klermont Feran të Francës u mbajt Kampionati Botëror i mundjes me stil të lirë në konkurrencën e kadetëve. Ngjyrat e reprezentacionit të ish Jugosllavisë i mbrojtën edhe katër mundës të Prishtinës, të cilët në këtë manifestim arritën suksese jashtëzakonisht të mëdha.
Mustafe Syla (kategoria deri 48 kilogramë) fitoi titullin e kampionit botëror, Veton Asllani (42) u stolis me medaljen e argjendtë, Sefedin Krasniqi me të bronztën, kurse Hamdi Syla (38), vëllai i kampionit botëror, zuri vendin e katërt.
